2018-05-17 14:37:00

Papa ambasadorëve: të mikpriten e të mbrohen migrantët


Paqe, pajtim, mikpritje e emigrantëve: këto ishin temat kryesore të fjalimit, që u drejtoi Papa ambasadorëve pranë Selisë së Shenjtë, pritur në Sallën Klementine, në Vatikan, me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale. Porosia kryesore: punoni për të mirën, me vendime, që karakterizohen nga mëshira, largpamja e guximi.

Papa priti e inkurajoi ambasadorët e Tanzanisë, Lesotho-s, Pakistanit, Mongolisë, Danimarkës e Finlandës, që u akredituan sot pranë Selisë së Shenjtë. Françesku  foli kryesisht për bazën e përgjegjësisë dhe rolin e diplomacisë ndërkombëtare, që  duhet t’i shërbejë gjithnjë drejtësisë e harmonisë, pa dalë kurrë nga binarët e unitetit të familjes njerëzore e të dinjitetit të të gjithë anëtarëve të saj.

Zhvillim  i gjithanshëm

Për këtë arsye, Kisha është e bindur se qëllimi i përgjithshëm i veprimtarisë diplomatike duhet të jetë zhvillimi i gjithanshëm i çdo njeriu, burrë a grua, fëmijë a plak, si edhe i kombeve, brenda kuadrit global të dialogut dhe të bashkëpunimit, në shërbim të së mirës së përbashkët.

Të sfidohet indiferenca

Në shtatëdhjetëvjetorin e adoptimit nga ana e Kombeve të Bashkuara të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Papa bëri thirrje të vihet në jetë   një frymë e re solidariteti ndaj të gjithë vëllezërve e motrave tona, posaçërisht atyre, që vuajnë për shkak të varfërisë, sëmundjes e shtypjes.

Askush nuk mund ta harrojë përgjegjësinë morale që kemi, për ta sfiduar globalizimin e indiferencës, as nuk mund t’i mbyllë sytë përballë situatave tragjike të padrejtësisë, që kërkojnë përgjigje të menjëhershme humanitare.

Në qendër, emigrantët

E, ndërmjet çështjeve më të ngutshme për bashkësinë ndërkombëtare, të cilës janë të thirrur t’i bëjnë ballë edhe ambasadorët e rinj, është ajo e emigrantëve, të detyruar të ikin nga luftërat e nga uria, objekt persekutimi, varfërie e zvetënimi, edhe ambiental, që i detyron të lënë shtëpi e troje.

Ky problem ka një përmasë etike, që i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe lëshimet e kufizuara, të lidhura me interesa vetjake. Pavarësisht nga natyra e ndërlikuar dhe delikatesa e çështjeve politike dhe shoqërore, kombet e veçanta dhe bashkësia ndërkombëtare janë të thirrura të japin, sa më mirë që të munden, ndihmesën e tyre në veprën e paqëtimit e të pajtimit, përmes vendimeve politike të karakterizuara sidomos nga mëshira, largpamësia e guximi.

Bashkëpunim, pa dhunë e pa hile

Në një kohë ndryshimesh epokale, që kërkon urti e shqyrtim nga ana e të gjithë atyre, që kanë për zemër një ardhmëri paqësore e të begatë për breznitë e ardhshme, Papa kërkoi të shtrëngohen radhët e bashkëpunimit, për t’i dhënë fund çdo lloj lufte:

“Uroj që prania juaj dhe veprimtaria në gjirin e bashkësisë diplomatike pranë Selisë së Shenjtë të kontribuojë për thellimin e kësaj fryme të bashkëpunimit e të pjesëmarrjes së anasjelltë, themelore për përgjigjen e frytshme, që u duhet dhënë sfidave të sotme. Nga ana e saj Kisha, e bindur për përgjegjësinë që kemi ndaj njëri-tjetrit, mbështet çdo përpjekje për të bashkëpunuar, pa dhunë e pa hile, në ndërtimin e botës me frymë të  mirëfilltë vëllazërie e paqeje".








All the contents on this site are copyrighted ©.