Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa falënderon liderët fetarë, që kultivojnë kulturën e takimit

Papa në takimin me përfaqësues të feve të tjera

16/05/2018 14:51

“Dialog e bashkëpunim”janë fjalë–kyçe sot, në një kohë kur thellohen tensionet e konfliktet, shoqëruar nga dhuna e përhapur në shkallë të vogël e të madhe”. Papa Françesku e kujtoi këtë sot paradite, para audiencës së përgjithshme, duke u takuar, në Shën Martë,  me një delegacion  budistësh, hinduistësh, gjainistësh e sikh, që morën pjesë dje në një Kuvend me temë “Dharma e Logos, dialogu dhe bashkëpunimi në një epokë të ndërlikuar”, organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, Zyra për ekumenzimin dhe dialogun ndërfetar, Unioni Budist Italian, Unioni hinduist Italian, Sikhi Sewa Society dhe Instituti of Jainology. Papa i përgëzoi për nismën, duke nënvizuar se duhet falënderuar Zoti, kur liderët fetarë angazhohen të kultivojnë kulturën e takimit, të japin shembullin e dialogut si dhe të bashkëpunojnë pa u lodhur në shërbim të jetës, të dinjitetit njerëzor e të mbrojtjes së gjithësisë.

Para se t’i bekonte gjithë të pranishmit, Françesku i falënderoi për atë që po bëjnë, duke bashkëpunuar sipas traditave përkatëse fetare, për promovimin e së mirës në këtë botën tonë.

Kardinali Tauran: të kapërcehen paragjykimet e mbylljet

Kujtojmë edhe se në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në kuvend, kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar i Dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar, ftoi të kapërcehen paragjykimet e mbylljet, “pjesë të kulturës së konfliktit” për t’i hapur rrugën “kulturës së takimit”. Kardinali Tauran u kujtoi pjesëmarrësve edhe “përgjegjësinë e rëndë” që kanë për të kultivuar në zemër të nxënësve të tyre, larg paragjykimeve, frymën e hapjes e të respektit, duke ndërmjetësuar për krijimin e paqes e të harmonisë.

Budistë e katolikë duhet t’i thellojnë marrëdhëniet

Menjëherë pas takimit në Shtëpinë e Shën Martës, në sallën e vogël përbri Sallës Pali VI, Françesku u takua edhe me një grup murgjërish budistë nga Tailanda, të cilët i falënderoi për dhuratën e Librit të tyre të Shenjtë, përkthyer në gjuhën bashkëkohore nga murgjërit e Tempullit Wat Pho. “Shenjë e dukshme e bujarisë suaj - u  tha Papa - si dhe e miqësisë që na lidh prej vitesh, udhë e bërë me hapa të vegjël, por të sigurt”. E në vijim kujtoi edhe takimin, në Vatikan, të të Lumit Pali VI me të Nderuarin Somdej Phra Wanaratana, përjetësuar në një kuadër të madh, ekspozuar në hyrje të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Kam shumë dëshirë - përfundoi Papa - që budistët e katolikët t’i thellojnë marrëdhëniet e tyre, të përparojnë në njohjen dhe nderimin e anasjelltë, duke ruajtur traditat e tyre shpirtërore e të jenë, në botë, dëshmitarë të vlerave të drejtësisë, të paqes e të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.

Në fund të përshkrimit të këtij takimi të përzemërt e të frytshëm, kujtojmë rishtas fjalët e para të titullit të kuvendit, termat: “Dharma e Logos”, për të shpjeguar se “Dharma” është një fjalë e gjuhës hindi, jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe e pasur me kuptime. Ka kuptimin detyrë, ligj, ligj kozmik, ligj natyror, fe - ndërsa “Logo” - kuptimin e mirënjohur “Fjala e Zotit”.

16/05/2018 14:51