Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Zoja e Bekuar, në muajin maj: Maria na mahnit përsëri

The fragment of a Renaissance master PIntoricchio's mural painting depicting Borgia Pope Alexander VI on his knees before Baby Jesus held by the Virgin Mary that was decorating a private chamber in the Borgia papal apartment at the Vatican, is shown during the exhibition - AP

15/05/2018 08:00

Vazhdojmё reflektimet gjatё muaji maj kushtuar nderimit tё Virgjrës Mari. Kemi pohuar në shkrimet e më parshme se nga tre Ungjijtë sinoptikë, ai që flet më shumë për Marinë, është Ungjilli i Lukës. Aty tregohet se Maria jetonte në Nazaret të Galilesë e se ishte e fejuar me Jozefin. E Vashën e Nazaretit e vizitoi Kryeengjëlli Gabriel. Takim fatlum. I padëgjuar. Një vazjë u takua me një Kryeengjëll, i cili iu drejtua me fjalët:
Të falem hiplote! Zoti është me ty!”.
Ajo u trondit, por Kryeengjëlli e qetësoi:
“Mos kij frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!”.

Ishte kumti më i madh i dëgjuar ndonjëherë. Me ndikimin e Shpirtit Shenjt, Maria do të zinte në kraharor një djalë, Jezusin, Birin e Zotit (Lk 1,26-38). E kur Engjëlli i Zotit u largua prej saj, pasi i kishte kumtuar lajmin e madh të Mishërimit të Birit të Hyjit dhe kishte marrë pohimin e saj, Maria e dinte se kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë së shëlbimit të botës. E megjithatë gjithçka rreth saj kishte mbetur fare e pandryshuar dhe fshati i humbur i Nazaretit nuk e dinte fare se ç’i kishte ndodhur vajzës së panjohur, e cila do të bëhej më e njohura mbi të gjitha gratë, që kanë ecur në shtigjet e kësaj bote.

 E Maria Virgjër, pa menduar fare për vetveten, u vu me ngut për udhë, për të arritur në shtëpinë e së kushërirës, ku ndodhi një ngjarje që asnjë piktor nuk mund ta realizojë me gjithë bukurinë e thellësinë e saj të pakapshme, sepse të dyja gratë ishin rrethuar nga drita e Shpirtit Shenjt.  E Elizabeta, e ndriçuar nga Lart, brohoret fjalët, që më pas do të shqiptohen në shekuj në të gjitha gjuhët e botës: “Bekuar je mbi të gjitha gratë, e i bekuar, fryti i kraharorit tënd! Nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim? Ja se, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje, kërceu në kraharorin tim. E lumja ti, që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit”. Këto fjalë mund të na duken të tepruara në rrethanat e sotme. Elizabeta ishte një grua në moshë e Maria, një vajzë e panjohur prej një fshati të humbur të Galilesë.

Ç’mund të bënin, në një botë ku vlerësohen njerëz të tjerë e peshojnë pushtete të tjera? Gjithsesi Maria na mahnit përsëri: zemra e saj është e kulluar, krejtësisht e hapur për dritën e Hyjit; shpirti i saj është pa mëkat, mbi të nuk peshojnë mburrja e egoizmi. Prandaj i buçet nga zemra kënga e lavdërimit, lexim i vërtetë dhe i thellë i gjithë historisë së njerëzimit: “Shpirti im madhëron Zotin”. Maria pranon madhështinë e Hyjit. E kjo është ndjenja e parë dhe e domosdoshme e fesë. Ndjenjë që i jep siguri, e çliron nga frika dhe e bën ta shikojë me sytë e fesë veprën e Zotit në histori. Prandaj është e lume, sepse e pranoi Fjalën e Zotit, që u mishërua në kraharor të saj. Feja e saj e bëri të shikonte se fronet e njerëzve të pushtetshëm në këtë botë janë të përkohshme, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb që nuk lëkundet as nuk shembet në jetë të jetëve. E kështu himni i Marisë ‘Magnificat’ mbetet në shekuj shpjegimi më i vërtetë e më i thellë i historisë.

Ta jetojmë deri në fund majin e Zojës me ‘Magnificat’ në zemër, t’i ngjasim Asaj, duke qenë gjithnjë të gatshëm për t’i ndihmuar vëllezërit, që të mundemi kështu, t’i lartojmë edhe ne Hyjit këngën e gëzimit e të mirënjohjes pa kufi.

15/05/2018 08:00