Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa me dioqezën e Romës: duhet revolucion i dhembshurisë

Papa Françesku në takimin me dioqezën e Romës

15/05/2018 14:00

Si mjeku, që studion sëmundjet e pastaj vendos terapinë, edhe Papa Françesku, kështu sugjeroi mbrëmë kurën për dioqezën e Romës. Në takimin me klerin e laikët, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Ati i Shenjtë dëgjoi realicionin përfundimtar ardhur nga famullitë dhe përmbledhjen e problemeve, që përjetohen gjatë kumtimit të Ungjillit.

Sëmundjet e Kishës së Romës

         Ajo, që e shqetëson Kishën, e cila ka fatin të ketë vetë Papën si ipeshkëv, janë rritja pa fre e egos personale; mungesa e bashkimit ndërmjet të krishterëve në realitetet e ndryshme kishtare, që nuk lidhen me njëra-tjetrën; frenezia; nismat e tepërta baritore, që nuk lënë kohë për reflektim; mungesa e njerëzve, që u mësojnë të tjerëve si të luten; mënjanimi i të varfërve nga gjiri i bashkësisë e mosrespektimi i tyre si subjekte ungjillëzuese.

Vetëm Zoti mund të na shërojë

         Papa iu përgjigj pa letër katër pyetjeve, që përmblidhnin problemet e që ia drejtoi vikari i tij për Romën, imzot Angelo De Donatis. Të mos mendojmë se mund të shërohemi me forcat tona, nënvizoi Françesku:

         “Të flasim me Jezusin, të flasim me dikë tjetër, të flasim me Kishën. Besoj se ky është hapi i parë. Pastaj, do të na ndihmojë të lexojmë diçka për argumentin. Por gjithnjë të shohim përpara: kushedi, a mund ta bëj unë këtë? Të lutemi, të flasim me dike, të lexojmë… ama i vetmi, që mund të na shërojë është Zoti. I vetmi”.

Përshpirtëria popullore është sistemi imunitar i Kishës

         Problemi i individualizmit, që e izolon Kishën, që e largon nga qendra e saj e vërtetë, nga Krishti, zgjidhet duke e hedhur vështrimin në thjeshtësinë e përshpirtërisë popullore, siç profetizonte Papa Pali VI:

         “Si mund të shkojmë përtej përkatësive ekskluzive e të sigurohemi për grupin tonë? Gjithnjë, t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje: ‘A shkoj unë me popullin e Zotit, por duke u përmirësuar, a dua gjithnjë një Kishë me popullin, një Kishë me Jezu Krishtin e mishëruar, një Jezu Krisht me Zotin?’ E vetmja mënyrë: është bashkësia që na shëron, përshpirtëria popullore na shëron”.

Harmonia e Shpirtit Shenjt, ndihma më e vlefshme

         Koha, u vu në dukje në takimin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, gllabëron të gjitha veprimtaritë e famullive, duke e lënë atë pa harmoni, duke mos e lejuar ta kthejë bashkësinë e besimtarëve në familje. Është Shpirti Shenjt, nënvizoi Papa, përgjegjës për harmoninë në Kishë, por kjo harmoni është gjithnjë dinamike:

         “Po përmend tri pika konkrete, që na ndihmojnë ta gjejmë këtë harmoni. Së pari, Zoti ynë Jezu Krisht, Ungjilli në dorë. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të lexuar një pjesë nga Ungjilli, çdo ditë… që ta njohim më mirë Krishtin. Së dyti, lutja: nëse lexon Ungjillin, menjëherë të vjen dëshira për t’i thënë diçka Zotit, për t’u lutur, për të hyrë në dialog me Të, edhe të shkurtër… pra, lutja. Së treti, veprat e mëshirës. Me këto tri pika besoj se shkojmë drejt harmonisë, por gjithnjë duhet ta kërkojmë këtë hir për jetën personale, për atë të bashkësisë famullitare e për dioqezën”.

Të rinjtë kërkojnë rrënjët

         Pyetja e fundit kishte të bënte me të rinjtë. Si mund të ndihmohen ata? Papa kujtoi përvojën e parasinodit, kur vetë të rinjtë dolën me një dokument shumë interesant. Në të nënvizohet rreziku i mënjanimit nga realiteti, vështirësitë për kontakte njerëzore, pasi të rinjtë – thuhet – rrinë gjithë ditën pas celularit:

         “Duhet t’i zbarkojmë të rinjtë në botën reale. Ta prekin realitetin. Pa prishur gjërat e bukura, që mund të ketë bota virtuale, sepse shërbejnë, apo jo? Është interesant ky... realiteti konkret”.

         E Papa nguli këmbë sërish në veprat e mëshirës, që i bëjnë të rinjtë ta kuptojnë realitetin, të rigjejnë rrënjët e tyre, përmes dialogut me të moshuarit, me të varfërit, të cilët duhen parë në sy e prekur me dorë, për ta ditur nga vijmë e ku shkojmë.

15/05/2018 14:00