2018-05-15 13:55:00

Ipeshkvijtë e Kilit tek Papa me dhembje e turp


Filloi sot, në Vatikan, takimi i Papës Françesku me ipeshkvijtë e Kilit për çështjen  e shpërdorimeve, që u vërtetuan në Kishën e këtij vendi jugamerikan. Bisedimet, në të cilat marrin pjesë 31 ipeshkvij dioqezanë e ndihmës dhe 3 ipeshkvij nderi, që po zhvillohen në Sallëzën pranë Sallës së Palit VI, do të vijojnë deri më 17 maj.

Konferencë shtypi me dy ipeshkvij

Në prag të këtij takimi, dy ipeshkvij: imzot Fernando Ramos, ipeshkëv ndihmës i Santjagos dhe Juan Ignacio Gonzáles, ipeshkëv i Shën Bernardit, mbajtën dje një konferencë shtypi pranë Pallatit Pio.

Imzot Ramos, duke kujtuar letrën e 8 prillit të kaluar, me të cilën  Papa i thirri prelatët në Vatikan, shpjegoi se Ati i Shenjtë interesohet për dy çështje kryesore: “Së pari - kujtoi prelati - erdhëm në Romë për të marrë përfundimet  e Raportit të imzotit Scicluna. Së dyti, për të bashkëpunuar përmes një dialogu të hapur e vëllazëror, lidhur me masat që duhen marrë me afate të shkurtëra, të mesme e të gjata, për të rivendosur bashkimin kishtar në Kili, me qëllim që “t’i jepet sa më shpejt fund shkandullit dhe të rivendoset drejtësia”.

Imzot Ramos pastaj shtoi: “Duhet të lypim falje shtatëdhjetë herë shtatë. Ky është çasti për ta përtërirë Kishën kiliane”.








All the contents on this site are copyrighted ©.