Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa Françesku në Shën Martë: “fati” ynë është të jetojmë si miq të Jezusit

Papa Santa marta Osservatore Romano - RV

14/05/2018 11:41

Na ra për short, domethënë për “fat”, e jo rastësisht, miqësia me Jezusin; e thirrja  jonë është pikërisht kjo: të mbetemi gjithnjë miq të Zotit. E kujtoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës, sot paradite, në Shtëpinë e Shën Martës. Reflektimi i tij  u frymëzua nga Liturgjia e sotme, gjatë së cilës përsëritej shumë herë fjala “short”- “fat”.

Ne e morëm këtë dhuratë për fat! Miqësia me Jezusin: kjo është thirrja jonë. Të jetojmë si miq të Zotit, miq të Zotit. Me të njëjtin short, që patën edhe Apostujt; më të fuqishëm akoma, por gjithsesi, të njëjtë. Të gjithë ne, të krishterët, e kemi marrë këtë dhuratë: hapjen, hyrjen në zemrën  e Jezusit, në miqësinë e Jezusit. Na ra për short dhurata e miqësisë. Fati ynë është të jemi miq të Zotit. Është dhuratë, që Zoti e ruan gjithnjë! E Ai është besnik lidhur me këtë dhuratë.

Jezusi nuk ia mohon miqësinë as atij, që e tradhton

Shpesh herë ne nuk jemi besnikë e i largohemi, me mëkatet tona, me tekat tona, po Ai vijon të jetë miku ynë besnik. Jezusi, ashtu si na e kujton Ungjilli i sotëm (Gjn 15, 9-17), nuk na quan më “shërbëtorë”, por “miq”; e këtë fjalë e ruan deri në fund të fundit, sepse është besnik. Edhe me Judën: fjala e fundit, që i drejton, para tradhtisë, është “mik”. Nuk i thotë “zhukmu sysh”.

Jezusi është miku ynë. E Juda, siç e lexojmë këtu, shkoi në shortin e vet të ri, zgjodhi fatin e vet. E zgjodhi lirisht. Short i lig: u largua nga Jezusi. E kjo është apostazia: të largohesh nga Jezusi. Mik, që të bëhet armik, ose mik, që bëhet  indiferent e deri tradhtar.

Ta ruajmë miqësinë e Jezusit, që e morën dhuratë

Në vend të Judës - siç na rrëfen Leximi I (Vap 1,15-17.20-26) - vjen, i zgjedhur me short, Matia, “për të qenë dëshmitar i Ngjalljes”, “Dëshmitar i kësaj dhurate të dashurisë”. “Mik -  vijoi të kujtojë Papa - është ai, me të cilin mund ta zbrazësh zemrën deri në skutat më të fshehta. Ai, të cilit nuk i fsheh asgjë. “Ju thirra miq, sepse gjithçka e dëgjova nga Ati im, jua tregova edhe ju” - u thotë Jezusi dishepujve në Ungjlll. Eshtë fjala, pra, për një miqësi, që na ra për short, që e patëm fat. Ashtu si u ra edhe Judës e Matisë.

Ta mendojmë këtë! Ai nuk na e mohon këtë dhuratë, nuk heq dorë prej saj, na pret deri në fund të fundit. E kur ne, për shkak të ligështisë sonë, largohemi prej Tij, Ai prapëseprapë na pret. E vijon të thotë: “Mik, po të pres! Mik, çfarë do? Mik o mik, pse po më tradhton me një të puthur?”. Ai është besnik në miqësi e ne duhet t’ia kërkojmë hirin të mbetemi në miqësinë e Tij, në atë miqësi, atë dhuratë, “që na ra për short, që e  patëm dhe e kemi prej Tij”.

14/05/2018 11:41