Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Doktrina e Fesë: takim mbi inkuizicionin, në 20-vjetorin e hapjes së Arkivave

Arkivat e Vatikanit - RV

14/05/2018 13:59

Për të përkujtuar 20-vjetorin e hapjes së Arkivave, që shënoi një kthesë të rëndësishme në studimet mbi inkuizicionin romak, drejtuesit e Arkivit  organizojnë, më 15 deri më 17 maj, Kuvendin ndërkombëtar të studimit, titulluar “Inkuizicioni romak dhe Arkivat e tij”.

Në janar të vitit 1998, Arkivi i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, përuronte zyrtarisht pranimin e studiuesve për kërkime shkencore, duke i hapur fondet e veta historike për  konsultime të lira. Në një ditë solemne, mbajtur pranë Akademisë Italiane të Lincei-t, kryesuar nga presidenti i asokoshëm i Dikasterit, kardinali Joseph Ratzinger, u hap solemnisht rruga, që sot mbush dy dekada jete. Njëzet vjet pas hapjes së Arkivit, hapet nesër edhe Kuvendi ndërkombëtar pranë Bibliotekës së Senatit (Piazza della Minerva, 38), në ashtuquajturën Insula Domenicana di Santa Maria sopra Minerva, e lidhur ngushtë me ngjarjet historike,  që i përkasin Kongregatës së Zyrës Shenjte dhe katalogut të Librave të ndaluar.

Pjesëmarrësit në Kuvend

Në Kuvendin, që është edhe takimi i katërt i ciklit Memoria Fidei, përuruar në vitin 2013 si forum i qëndrueshëm i bashkëpunimit dhe përditësimit të arkivave kishtare, do të marrin pjesë 40 studiues nga Italia e vise të tjera të Evropës, SHBA-ve dhe Kandasë. Punimet do t’i hapë imzot Francisco Luis Ladaria Ferrer, prefekt i Kongregatës. Do të pasojë biseda hyrëse e Andrea Del Col dhe një tryezë e rrumbullakët, me pjesëmarrjen se studiuesve të pranishëm në Kuvend. Sesionet e mëpasme do t’u kushtohen përkatësisht: Kufijve të kërkimit; Inkuizicioneve: vende e njerëz; Inkuizicionit në letërsi, kinema e publicistikë.

Koncert në Bazilikën e Shën Marisë mbi Minervë

Në përfundim të ditës së dytë, në Bazilikën e Shën Marisë mbi Minervë, të pranishmit do të ndjekin një koncert të Kapelës Muzikore të Santa Maria in Portico in Campitelli dhe të ansamblit “La Cantoria” të Romës, që do të ekzekutojnë  oratorin  e Don Francesco Niccolò de Rossi-t (rreth 1625- pas 1699) titulluar “Rënia e Engjëjve” (1656), nën drejtimin e mjeshtrit Vincenzo Di Betta. Kuvendi do të mbyllet me fjalën e Herman Schwedt dhe të imzot Alejandro Cifres, drejtor i Arkivit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

14/05/2018 13:59