2018-05-14 15:05:00

Atentatet në Indonezi. Ipeshkvijtë bëjnë thirrje për unitet


Në qytetin Surabaya, pas sulmeve të djeshme mbi kishat, sot u godit komanda e policisë. Gjatë 24 orëve hynë në aksion dy familje me fëmijë të vegjël. Shteti islamik pranon autorësinë e atentateve, ndërsa presidenti Widodo kërkon  reformimin e ligjit mbi terrorizmin. Dje, edhe thirrja e Papës.

Dënimi i Konferencës ipeshkvnore
Ipeshkvijtë indonezianë, të tronditur thellë, i dënuan ashpër sulmet dhe u shprehën solidaritetin familjeve të të vrarëve e të plagosurve. Të trondit pa masë fakti se goditja u realizua nga një familje e tërë atentatorësh: “Çfarë po injektohet në mendjet e fëmijëve? Po edukojmë ekstremizmin?”. Kjo është pyetja më ogurzezë, që lindi pas këtyre sulmeve. E pohon këtë, për agjencinë Fides, atë Siprianus Hormat, sekretar ekzekutiv i Konferencës ipeshkvnore të Indonezisë, duke rikujtuatr mendimin e episkopatit katolik indonezian. Sipas atë Hormat, “këto atentate duan të godasin bashkëjetesën paqësore dhe pluralizmin, e mira më e madhe e shoqërisë indoneziane”.

Imzot Suharyo: thirrje për unitet 
Kryeipeshkvi i Xhakartës, imzot Ignazio Suharyo, në përfundim të një Meshe, kremtuar mbrëmë në katedrale, bëri thirrje publike për të ruajtur vëllazërimin dhe unitetin e Shtetit. “Duhet të jemi njerëz të urtë e mençur, t’i përdorim si duhet mendje e zemra” - pohoi prelati, duke uruar që çështja fetare “të mos përdoret në zgjedhjet, për të arritur qëllime vetjake”.
Imzot Vicentius Sutikno Wisaksono, ipeshkëv i Surabaya-s, dioqezës së sulmuar nga atentatorët, e dënoi këtë veprim të ulët e barbar dhe i nxiti besimtarët të mbajnë qetësinë e të vijojnë t’i ndjekin kishat. 








All the contents on this site are copyrighted ©.