2018-05-13 08:00:00

Zoja e Bekuar, në muajin maj: Maria në teologjinë katolike


Teologjia katolike, apo Mariologjia, për të cilën do të flasim përsëri më pas, është marrë gjatë shekujsh me përkufizimet, konceptet, dogmat e format e ndryshme të nderimit për Virgjërën Mari, bazuar jo mbi spekulime abstrakte, por mbi traditat historiko-fetare të krishtërimit, si tekstet e shenjtorëve e të etërve të Kishës. Me të gjitha këto forma merret mariologjia katolike.
Ndër shenjtorët e Kishës latine, që shkruan më shumë për Virgjërën Mari, kujtojmë Duns Skotin, Shën Bernardin e Kiaravales, Shën Bonaventurën nga Banjorexho, Shën Luigjin Grinjon de Monfort, Shën Alfons Maria de’ Liguorin...
Në shkrimet e tyre Maria paraqitet si “Nëna e mëshirës”; “Shpresa e të dëshpëruarve”, “Mbretëresha e të mjeruarve”, “Ndërmjetëse e të gjitha hireve”; “Refugium peccatorum” (Streha e gjallë e mëkatarëve).
Shën Bernardi pohon se “ajo ia hapë pafundësinë e mëshirës së Zotit atij që do, kur do e si do; kështu që nuk ka mëkatar, sado i mbrapshtë të jetë, që të humbasë, në se gëzon mbrojtjen e Marisë”.
(Shën Bernardi i Kiaravales, De Laudibus Virginis Matris)
Në vijim, Shenjti na kujton se, kur gjunjëzohet para Zojës së Bekuar, mëkatari nuk duhet të ketë frikë, as turp, për shkak të mëkateve të veta. Përkundrazi, sepse:
“... si mund t’ia mohosh ndihmën njeriut të mjerë, ti, Mari, që je Mbretëreshë e mëshirës? E kush mund të jenë nënshtetasit e tu, përveç mjeranëve? Ti je mbretëreshë e mëshirës e unë, mëkatari më i madh; prej këndej, edhe më i madhi i nënshtetasve të tu”.
(Shën Bernardi i Kiaravales, De Laudibus Virginis Matris)
Ajo, me që u zgjodh ab aeterno nga Hyji për mishërimin e Shëlbuesit, që nga çasti që e pranoi Jezusin, për virtyt të Shpirtit Shenjt, u bë edhe nënë e të gjithë njerëzve, të drejtëve e mëkatarëve, që i luten asaj; e dashuria e Zotit për Marinë është aq e pafundme, aq e amshuar e e ndritshme, sa Shën Alfons Maria De’ Liguori i drejtohet me këto fjalë:
“Ti do të mund të nxirrje nga Hyji hir edhe për vetë Luciferrin, në se ky shpirt krenar do të përvuhej përpara Teje”.
(Sant’ Alfonso Maria De’ Liguri, Le glorie di Maria, cap.II)








All the contents on this site are copyrighted ©.