2018-05-13 10:00:00

Nga Papa, Vatikani e Kisha nëpër botë


Papa në Nomadelfia

 Të enjten e kaluar, më 10 maj, Papa Françesku shkoi në Nomadelfia dhe në Loppiano të Italisë. Në Nomadelfia, u takua me bashkësinë e themeluar në vitin 1947 nga don Zeno Saltini, ku të gjithë jetojnë sipas rregullave të bashkësive të para të krishtera, duke e pasur gjithçka të përbashkët. Ndërmjet të tjerash, Ati i Shenjtë u besoi dy fëmijë, dy familjeve të Nomadelfias, me formulën e përdorur prej tyre, marrë nga Ungjilli: “Grua ja biri yt. Bir, ja nëna jote”. Sipas traditës, fëmijët e qytezës janë të të gjithëve e jo vetëm të familjes së tyre. Në çdo grup shtëpish, jetojnë familje të zgjeruara, katër-pesë bërthama familjare, që ndajnë së bashku hapësirat, punët e kujdesen për fëmijët.

Papa në Loppiano

 Gjithnjë të enjten, Papa Françesku shkoi edhe në Loppiano, pranë Firences, ku ndodhet qyteza ndërkombëtare e fokolarinëve, themeluar nga Chiara Lubich. Sfida “epokale – u tha Ati i Shenjtë të pranishmëve – është të punohet për kulturën e takimit e të arrihet qytetërimi i aleancës”.

“E kundërta e fjalës ‘unë’ nuk është ‘ti’, por ‘ne’”, theksoi Papa Françesku.

Audienca e së mërkurës

Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, Papa Françesku vijoi ciklin e katekizmit kushtuar Pagëzimit, sakrament – nënvizoi – që “vë një vulë të pashlyeshme, të cilën nuk mund ta fshijë asnjë mëkat”. Mund të bëhemi edhe “kusarë nga më të këqinjtë”, por “Zoti nuk i mohon kurrë bijtë e tij”. Kurrë. Sepse “Zoti na do shumë”, nënvizoi Papa, e asnjë mëkat nuk mund ta ndryshojë këtë dashuri.

 Ati i Shenjtë foli sërish për mëshirën, që karakterizon marrëdhëniet e Zotit me bijtë e tij, duke i dhënë shpresë edhe më të keqit, nëse pendohet. Sakramenti i Pagëzimit na bën bij të Kishës, por na është dhënë për të ndjekur Krishtin e jo botën, nënvizoi së fundi.

Statuti i Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën

Hyri sot në fuqi Statuti i ri i Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen e Jetën. Ndër risitë e tij, në krahasim me variantin e vitit 2016, pjesëmarrja e gruas në Kishë, baritoria rinore, dialogu ndërmjet brezave. Në vazhdën e Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia”, mbahet qëndrim edhe për të ashtuquajturat “gjendje të parregullta” familjare. Gjithashtu, sqarohet përgjegjësia e dikasterit në Takimin Botëror të Familjeve e në Ditët Botërore të Rinisë. Statuti është miratuar nga Papa Françesku “ad experimentum”.

Vizitë ekumenike e Këshillit Botëror të Kishave në Korenë e Veriut

 Pak ditë pas takimit historik pankorean në Pan-mun-jom, më 27 prill, një delegacion ekumenik ndërkombëtar, i përbërë nga përfaqësues të Këshillit Ekumenik të Kishave dhe të Bashkimit Botëror të Kishave të Reformuara (protestantë e ortodoksë), shkoi për vizitë në Korenë e Veriut, e pikërisht në kryeqytetin Piong-jang, nga 3 deri më 7 maj, me ftesë të Federatës koreane kristiane.

 Falenderojmë Zotin, thuhet në notën e Këshillit Borëror, që ishim në gjendje të kremtojmë së bashku me Federatën koreane kristiane e me Korenë e Veriut impenjimet politike të Deklaratës së përbashkët për paqen, nënshkruar në Pan-mun-jom. Në veçanti, nënvizohet rëndësia e arritjes në një traktat paqeje, që të zëvendësojë marrëveshjen e armëpushimit të vitit 1953 e të deklarojë solemnisht se nuk do të ketë më luftë në gadishullin korean.

Finlandë: përgatiten shtegtimet për vizitën e Papës në Estoni

Katolikët finlandezë po organizohen për të takuar Papën Françesku, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Estoni, më 25 shtator. Për të marrë pjesë në takim, nevojitet regjistrimi e bileta, të cilat mund të sigurohen duke filluar nga gjysma e qershorit. Ndërkaq, famulli të ndryshme po prenotojnë tragetin, që do t’i çojë në Estoni.








All the contents on this site are copyrighted ©.