2018-05-10 14:26:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Rutës


Libri i Rutës, për të cilin do t’ju flasim sot, është një nga më të shkurtrit e Besëlidhjes së Vjetër (vetëm katër kapituj) e, megjithatë, dallohet për prozën e zhdërvjelltë e të pëlqyeshme, e sidomos për mesazhin e tolerancës e të shpresës, që i jep Izraelit të lashtë. Edhe për të i referohemi meshtarit italian, Federico Tartaglia dhe vëllimit të tij, “Është ora e leximit të Biblës”.

         Jo rastësisht, Libri i Rutës bën pjesë në të ashtuquajturit “Megilot”, pesë “rrotullat” veçanërisht të dashura për hebrenjtë, që lexohen të plota në rastet e festave të veçanta: përveç Rutës, gjejmë Këngën e Këngëve, Vajtimet, Esterin dhe Kishtarin. Libri i Rutës lexohet në festën e Rrëshajëve.

Libri i Rutës ka në qendër figurën e një gruaje të huaj

         Ky është edhe libri i parë, që ka në qendër figurën e një gruaje, madje, të një të huaje, e cila përqafon fenë e Izraelit. Një midrash (tekst interpretimi i Shkrimit Shenjt për hebrenjtë) arrin të thotë se ajo është edhe më e madhe se Abrahami, sepse pa qenë e thirrur nga Zoti shkoi dhe u vu nën krahët e Hyut të Izraelit.

         Në kapitullin I tregohet për Elimelekun nga Betlehemi, i cili emigron në Moab bashkë me gruan, Noemin dhe me dy djemtë. Këta martohen me dy moabite, Orfën dhe Rutën. Fatkeqësisht, vdesin si Elimeleku, ashtu edhe të bijtë e, Noemi vendos të kthehet në Jude. Orfa përshëndetet me të vjehrrën, ndërsa Ruta vendos të shkojë me të e të marrë edhe fenë e Izraelit.

Martesa e Rutës me Boozin

         Më pas, ngjarjet e kapitujve të tjerë na çojnë në njohjen e Rutës me Boozin, kushëri i Elimelekut e deri në martesën e tyre, siç ishte tradita hebraike, sipas së cilës, një kushëri i burrit duhet të kujdeset për gruan e fëmijët, kur ajo mbetet vejushë, duke marrë përsipër edhe administrimin e pasurive të burrit të saj, që i mbeten atij. E përfytyrojmë Rutën, kur shkon me përvujtëri të mbledhë kallëza elbi të rëna në arën e Boozit; pastaj, kur, e këshilluar nga e vjehrra, shkon të shtrihet tek këmbët e tij, duke i kërkuar të bëhet “goèl”-i i tyre (shpëtimtari); e edhe kur Boozi, me mjeshtëri, i mbush mendjen kushëririt të parë të Noemit të heqë dorë prej saj e pasurisë së të shoqit. Duket si përralla e Hirushes, sepse Bibla e vë Rutën në pozicionin e një Hirusheje të lashtë.

Jo thjesht, përrallë

         Por, përtej kësaj atmosfere përrallash, ka shumë më tepër, sepse libri përfundon me lindjen e Obedit, që do të bëhet babai i Jeses, gjyshi i Davidit, pararendës i Jezusit, sipas gjenealogjisë së Ungjillit të Mateut. Libër i çuditshëm Bibla, kur në Pslamin 60 vë në gojën e Zotit fjalët: “Moabi, legeni ku unë lahem”. Sa luftra, sa urrejtje për popujt, mbretërit dhe zotët e Moabit e, pastaj, pa asnjë paralajmërim, duket një moabite e bukur, Ruta, që kthehet në fenë e Izraelit dhe bëhet pararendëse e mbretit të shenjtë David.

         Komentuesit e këtij libri ndahen në dy grupe: ata, që e shohin librin si të bazuar mbi fakte historike dhe ata, që e konsiderojnë tregim. Ndër këta të fundit, ka një interpretim interesant. Libri është shkruar në një epokë të vështirë, pas mërgimit e kthimit nga Babilonia, në kohën e Esdrës e të Nehemisë. Këtyre iu desh të përballonin problemin e rindërtimit të Jeruzalemit dhe të Tempullit, u ndeshën me ata, që patën mbetur në tokat e Izraelit e në harkun e 50 vjetëve, patën marrë shtëpitë e pronat e të mërguarve, megjithëse jetonin në varfëri e në ngushticë ekonomike.

Feja e Izraelit hapet pë botën pagane

         Ndër zgjidhjet e propozuara për të dalë nga kjo situatë ishte mbyllja e dyerve për të huajt, ndalimi i martesave të përziera dhe kthimi i grave “të paligjshme” në shtëpitë e tyre, për të gjetur kështu pastërtinë etnike, rreth së cilës të krijohej identiteti i ri i Izraelit. Në këtë klimë mbylljeje e frike, lindi, si reagim, libri i Rutës. Ky interpretim na e paraqet librin gati si subversiv e paralajmëron, ashtu siç bën edhe Libri i Jonës, një këndvështrim mbi fenë e Izraelit, të hapur për botën pagane. Ruta bëhet kështu simbol i emigrantes, i së huajës, i së pafesë, që kthehet në besimtare. E mbyllim këtë emision, jo më kot, me fjalët e Rutës për të vjehrrën:

“Kudo që të shkosh ti, do të vij edhe unë, ku të jetosh ti, dua të jetoj edhe unë: populli yt do të jetë populli im, Hyji yt do të jetë Hyji im. Ai dhe, që do të të mbulojë ty kur të vdesësh, aty do të vdes edhe unë e aty do të jetë vendi i varrimit tim. M’i çoftë Zoti të gjitha të këqijat, nëse më ndan prej teje tjetër gjë përveç vdekjes”(Rt 1,16-17).








All the contents on this site are copyrighted ©.