Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa takohet me Fokolarët: Loppiano, qytet i hapur pa periferi

Papa në Loppiano - AP

10/05/2018 14:30

Pas përfundimit të vizitës në Nomadelfia, Papa vijoi shtegtimin në Qytezën e Loppianos, ku arriti me helikopter. U prit nga presidentja e Fokolarëve, Maria Voce, nga bashkëpresidenti i Lëvizjes, Jesus Moran dhe nga ipeshkvi i Fiesoles, imzot Mario Meini, ndërsa atmosfera ishte plot me tingujt e këngëve të Gen Verde, grup ndërkombëtar i lëvizjes së Fokolarëve.

Më se 7000 vetë, në pritje të Papës

Për ta pritur Papën, në fushën e sportit, pranë sallonit të Shën Benediktit, kishin dalë më se 7000 vetë, të cilët Françesku i përshëndeti gjatë udhës së shkurtër, që bëri me auto, për të arritur në shenjtëroren Maria Theotokos, kishë e qytezës së Loppianos, kushtuar Nënës së Zotit, sipas dëshirës së themelueses së Fokolarëve, Chiara Lubich. Sapo arriti në shenjtërore, Papa u gjunjëzua në lutje, duke u ndaluar edhe para figures së Zojës me Krishtin Fëmijë, realizuar nga një piktor i fesë hinduiste, simbol i dialogut ndërfetar, një nga karakteristikat më të spikatura të Loppianos.

Përshëndetja e Maria Voce-s

Papa, më pas, u takua me turmën e madhe të bashkësisë së Fokolarëve, e cila po e priste që në orët e para të mëngjesit. Maria Voce i drejtoi Atit të Shenjtë, në emër të të gjithëve, përshëndetjen fillestare të mirëseardhjes në Loppiano dhe mbajti fjalimin kushtuar karizmave e angazhimit të bashkësisë së Fokolarëve. “Në Loppiano aktualisht jetojnë rreth 850 vetë, të ardhur nga 65 kombe, që ju përshëndesin me gjithë zemër  - kujtoi Maria Voce. - Për vetë natyrën e  saj, qyteza është laborator jete, palestër, në të cilën njerëzit stërviten, për të ndërtuar unitetin në larmi. Dëshira jonë është që, kush e viziton këtë qytet, të gjejë këtu një shtëpi, një familje, një nënë, Marinë” – shpjegoi akoma presidentja e Lëvizjes së Fokolarëve, duke ia paraqitur Papës vullnetarët dhe vullnetaret e Zotit, “që vijnë  të formohen si mjeshtra të paqes, për ta shndërruar shoqërinë nga brenda”, si dhe 10 shkollat e formimit të të pranishëmve në qytezë, ndërmjet të cilave spikat Instituti Universitar Sophia.

Pyetjet e qytetarëve të Loppianos  

Në vijim të vizitës, Papa iu përgjigj pyetjeve, që i drejtuan disa qytetarë të Loppianos. “Si t’i jetojmë situatat e sotme, pas kohës së themelimit, jetuar me Chiarën” -  ishte pyetja e parë, së cilës Françesku i dha një përgjigje të gjatë e të hollësishme, duke u mbështetur mbi dy koncepte, të shprehura në Letrën drejtuar Hebrenjve: sinqeritet (parresia) dhe durim (hypomoné).

Mos hiqni dorë nga sinqeriteti juaj (parresia), i cili nuk mbetet kurrë pa marrë një shpërblim të madh. Keni nevojë vetëm për durim (hypomoné), që, si të keni bërë vullnetin e Zotit, të merrni gjithçka ju është premtuar.

Papa, në vijim, shpjegoi se në kornizën e kujtesës, duhen vënë dy fjalë kyçe! Kur - nuk po them i krishteri, por burri a gruaja - e mbyll me çelës kujtesën, nuk e ka të gjatë. Nis të vdesë. Ju lutem, mos e mbyllni kujtesën! Kujtoni çka thotë Letra  drejtuar Hebrenjve: “Risillini në kujtesë ditët e para”. Kjo kornizë e kujtesës mund të jetojë, mund të marrë frymë, mund të shkojë përpara e të japë fryte. Po kur nuk ke kujtesë…Pema mund të lidhë fruta, sepse ka rrënjë; nuk është e çrrënjosur. Po nëse ti nuk ke kujtesë, je burrë pa rrënjë, grua pa rrënjë, nuk do të lidhësh kurrë fruta. Kujtesa: kjo është korniza e jetës!

Në Loppiano nuk ka periferi

Atit të Shenjtë, më pas, iu drejtua pyetja  lidhur me kontributin e freskët e krijues që mund të japin shkollat e formimit dhe një realitet akademik, si “Sophia”, për të përgatitur leadership, që tregojnë rrugë të reja.

Papa iu përgjigj se për ta realizuar këtë dëshirë, duhet të ecin së bashku me stilin sinodal, që jetohet në Loppiano: prej këtu, udhët e formimit, që lulëzuan në Loppiano nga karizma e unitetit, mund të marrin shtytje të reja, të cilat mund të pasurohen me fantazinë e dashurisë, duke ia hapur zemrën nxitjeve të Shpirtit Shenjt dhe të historisë. Mund të ecet, kështu, në udhën e formimit për punë, për veprimtari ekonomike e politike, për dialog, në shprehjet e tij më të larmishme ekumenike e ndërfetare, si dhe me njerëz të bindjeve të ndryshme; për formim kishtar e kulturor. E kjo, në shërbim të të gjithëve, me shikimin, që e rrok mbarë njerëzimin, duke nisur nga ata që, në çfarëdo mënyre, lidhen me periferitë e ekzistencës. Loppiano - qytet i hapur! Loppiano - qytet në dalje! Në Loppiano nuk ka periferi!

Papa theksoi një fjalë tjetër kyçe: “afërsi”

Nuk mund të jesh i krishterë, pa qenë i afërt, pa sjellje afërsie, sepse afërsi është ajo, që bëri Zoti, kur dërgoi mes nesh të Birin- kjo, fjala tjetër kyçe që theksoi Papa.

Sfida e besnikërisë krijuese

Së fundi, pyetja e tretë, mbi temën e aktualizimit të misionit në këtë etapë të re të ungjillëzimit e për t’iu përgjigjur sfidave të kohës sonë.

Për ta bërë këtë, Françesku i nxiti Fokolarët të shikojnë lart, për ta parë  besnikërisht, plot me besim e me frymë bujare krijuese, ardhmërinë, e cila nis sot.

Historia e Loppianos sapo ka nisur, është farë e vogël, e hedhur në brazdat e historisë, që ka lëshuar filizat e parë, por duhet të lëshojë edhe rrënjë të shëndosha, për të sjellë fryte të begata, në shërbim të misionit të kumtimit të mishërimit të Ungjillit të Krishtit, që Kisha është e thirrur ta jetojë. E kjo kërkon përvujtëri, zemër të hapur, sinergji, aftësi për të rrezikuar.

Sfida është ajo, që Papa e quan besnikëri krijuese

Sfida është ajo, që Papa e quan besnikëri krijuese: t’i qëndrosh besnik frymëzimit të zanafillës e, së bashku, t’ia hapësh zemrën frymës së Shpirtit Shenjt e të nisësh, me guxim, ecjen në rrugë të reja, që t’i këshillon Ai vetë!

Para se të përfundonte, Papa Françesku i ftoi Fokolarët të shikojnë edhe Zojën, sepse vetë shenjtërorja, që i kushtohet në Loppiano është ftesë për t’u ulur në bankat e shkollës së Marisë, për të mësuar si mund ta  njohësh Jezusin.

Është frymëzim i madh dhe ushtrim i bukur, që mund ta bëjmë, e unë ju nxis ta bëni:  të ndiqni hapat më të ngarkuara me konflikte nga jeta e Jezusit, si Kana, për shembull, e të shikoni si reagon Maria; Maria merr fjalën e shkon përpara. Sepse Ajo është gruaja e besnikërisë, gruaja e krijimtarisë, gruaja e guximit, e parresisë, gruaja e durimit, gruaja, që di t’i përballojë dhembjet. Shikojeni gjithnjë këtë laike, dishepulle e parë e Jezusit, si reagon në të gjitha hapat konfliktuale të jetës së të Birit. Do t’ju ndihmojë shumë!

10/05/2018 14:30