2018-05-10 19:02:00

Papa Françesku: më 11 maj viziton selinë vatikanase të Scholas Occurrentes


Më 11 maj, në orën 16.00, Papa Françesku  do të vizitojë selinë vatikanase të Scholas Occurrentes e do të takohet me brezin e ri të formuesve, studentë, që po marrin pjesë në një projekt, të cilin Fondacioni e zbaton në të gjithë botën. Gjatë takimit, informojnë organizatorët në një notë, do të realizohen të gjitha objektivat e përcaktuara tetorin e kaluar: përurimi i selisë së re të Scholas në Argjentinë (në tetor, Papa bekoi tullën e parë të Villa 31 në Buenos Ajres); përurimi i selisë në Mozambik (njoftuar së bashku me hapjen e shkollës së artit e të surf-it), si edhe hapja e kompleksit të ri në Kolumbi.

         Gjatë takimit në Vatikan, artistë me famë botërore do t’i dhurojnë Papës një vepër të tyren, paraqitur për të promovuar programin e Scholas për Artin: “Pintando puentes” (Të pikturojmë ura). Takimi Ndërkombëtar i Rinisë, organizuar nga Scholas Occurentes, përfundoi me këtë festë të vogël me Papën Françesku, por nisi që të hënën, më 7 maj. Gjatë këtyre ditëve, 100 të rinj nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, të Spanjës e të Italisë shkëmbyen përvojën e tyre.

         Kujtojmë se Scholas Occurrentes është organizatë ndërkombëtare e së drejtës papnore, ngritur nga Papa Françesku në këtë rang më 13 gusht 2013, por filluar që kur Jorge Mario Bergoglio ishte kryeipeshkëv në Argjentinë. Është e pranishme në 190 vende dhe përfshin 446.133 shkolla e rrjete edukative të të gjitha konfesioneve fetare, si publike, ashtu edhe private. Objektivi i saj është “promovimi i kulturës së takimit për paqen përmes edukimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.