Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Zoja e Bekuar, në muajin maj: Maria në Ungjijtë sinoptikë

Virgen Guadalupe

09/05/2018 09:33

Vazhdojmё reflektimet gjatё muaji maj kushtuar nderimit tё Virgjrës Mari. Nga tre Ungjijtë sinoptikë, ai që flet më shumë për Marinë, është Ungjilli i Lukës. Aty tregohet se Maria jetonte në Nazaret të Galilesë e se ishte e fejuar me Jozefin. E në sa priste dasmën, shtëpinë e Vashës së Nazaretit e vizitoi Kryeengjëlli Gabriel. Takim fatlum. I padëgjuar. Një Vashë u takua me një Kryeengjëll, i cili iu drejtua me fjalët:
“Të falem hiplote! Zoti është me ty!”.
Ajo u trondit, por Kryeengjëlli e qetësoi:
“Mos kij frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!”.
Ishte kumti më i madh i dëgjuar ndonjëherë. Me ndikimin e Shpirtit Shenjt, Maria do të zinte në kraharor një djalë, Jezusin, Birin e Zotit (Lk 1,26-38). Ajo pranoi e pikërisht për këtë pranim e për besnikërinë me të cilën e kreu misionin e ngarkuar nga Hyji, deri tek këmbët e Kryqit, mbetet model për gjithë të krishterët.
Në Ungjillin e Lukës rrëfehet edhe shtegtimi i saj kah malet e Judesë, në qytetin ku jetonte e kushërira, Elizabeta që, në pleqëri, priste fëmijën e saj të parë, atë që do të ishte “Më i madh nga të gjithë njerëzit, që kanë lindur prej nëne”, Shën Gjon Pagëzuesin, Sapo arriti, Elizabeta e quajti “Nëna e Zotit tim”. E Maria u përgjigj “Zemra ime madhëron Zotin” (Magnificat).
E do ta madhëronte përsëri, me gjithë shpirt, kur do ta nxirrte në dritë, në Betlehem, ku kish shkuar të regjistrohej, së bashku me Jozefin, që Zoti ia caktoi si rojtar, asaj e të Birit. E quajti Jezus, ashtu siç e kishte porositur Kryeengjëlli. Ungjilli i Lukës flet edhe për këngët e engjëjve e vizitën e barinjve në shpellën e mjerë, që u bë vendi më fatlum i botës, e flet edhe për tre mbretërit dijetarë.
Mateu e vijon tregimin, duke na përshkruar jetën e familjes në Betlehem (Mt. 2,1-11), persekutimin e Herodit; ikjen në Egjipt; mbytjen e fëmijëve të pafaj dhe rikthimin në shtëpinë e thjeshtë të Nazaretit.
Kur Jezusi mbushi 12 vjet, Maria e Jozefi e çuan për të kremtuar Pashkët në Tempullin e Jeruzalemit. Duke u rikthyer në Nazaret, prindërit nuk e gjetën ndërmjet karvanarëve e, të shqetësuar, u kthyen mbapsht, për ta kërkuar. E gjetën në të tretën ditë në Tempull, në mes të dijetarëve, duke i pyetur e duke u dhënë përgjigje.
Maria është e pranishme edhe kur Jezusi i gjegjet qortimit të saj: “Ç’na bëre kështu, o bir, yt atë e unë të kërkuam plot pikëllim”, duke shqiptuar për herë të parë fjalët:
“A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”.
Nëna e dëgjon e mrekulluar përgjigjen e Birit, po nuk arrin ta rrokë plotësisht kuptimin këtyre fjalëve (Lk 2, 41-50).Në Ungjijtë sinoptikë, Maria paraqitet pranë Jezusit në çaste nga më të ndryshmet edhe në kohën e predikimit të tij publik.

09/05/2018 09:33