2018-05-09 08:00:00

Më 9 maj kalendari kishtar përkujton Shën Pakomin, Abat


Më 9 maj kalendari kishtar përkujton Shën Pakomin, Abat. A mund të pohojmë se jeta e jashtëzakonshme e eremitëve, me vetminë e plotë, pendesën e thellë, agjërimin e tepruar, mundimin e trupit, netët e kaluara pa gjumë në lutje, ishte zbatim pikë për pikë i Ungjillit të Krishtit? A nuk ekzistonte rreziku që pas vetmisë së tyre të fshihej kurthi i tekave, krenaria e njeriut që dëshiron të bëjë diçka të jashtëzakonshme ose që nuk mund t’i durojë të tjerët, sepse e konsideron veten përmbi ta? Për ta zhdukur një rrezik të tillë, një murg egjiptian i shekullit IV, Shën Pakomi, organizoi një formë të re të jetës murgare: çenobitizmin ose jetën e përbashkët, në të cilën disiplina dhe autoriteti zëvendësonin anarkinë e vetmitarëve. Lutja, meditimi, puna ishin në bazë të kësaj jete.

Ai i edukoi dishepujt e tij për jetë të përbashkët, duke themeluar jo larg brigjeve të Nilit, “koinoninë” e parë, siç u quajt bashkësia e tij e krishterë, që i përngjiste bashkësisë së themeluar nga Apostujt në Jeruzalem, bazuar në lutjen, punën dhe ushqimin e përbashkët si dhe konkretizuar në shërbimin e anasjelltë. Dokumenti kryesor që rregullonte këtë tip jete ishte Shkrimi Shenjt, të cilin murgu e mësonte përmendësh dhe e thoshte me zë të ultë gjatë punës së përditshme. Kjo ishte edhe forma kryesore e lutjes: lidhja me Zotin përmes sakramentit të Fjalës së Tij.
Shën Pakomi lindi në Egjiptin e Epërm në vitin 287 nga prindër paganë. I detyruar të shërbente në ushtrinë perandorake në moshën 20 vjeçare, përfundoi në burg së bashku me të gjithë rekrutët e tjerë. Disa të krishterë, të mbrojtur nga errësira e natës, shkuan t’i vizitonin e t’u çonin pak ushqim. Gjesti i këtyre njerëzve të panjohur, plot dashuri për të afërmin, e preku në shpirt Pakomin, i cili nuk mundi të mos i pyeste ç’i shtynte ta bënin këtë veprim kaq të guximshëm e të rrezikshëm. “Zoti i qiellit” qe përgjigja e të krishterëve. Atë natë Pakomi iu lut Zotit të të krishterëve ta lironte nga zinxhirët, duke i premtuar se do t’ia kushtonte gjithë jetën. Zoti ia dëgjoi lutjen! E edhe ai e mbajti premtimin. U bashkua me të krishterët e një fshati jugor, që sot njihet me emrin Kasr-es-Sajad, ku u përgatit për të marrë Pagëzimin. Për një farë kohe jetoi si asket, duke u shërbyer njerëzve të vendit, pastaj u bë për shtatë vjet dishepull i murgut plak, Palamonit. Në sa jetonte pranë tij në vetminë e shkretëtirës, një zë misterioz e ftoi të ngulte banesën në këtë vend, ku shpejt rreth tij do të mblidheshin shumë dishepuj. Kur vdiq, la pas nëntë kuvende mashkullore e një femëror. Nuk dihet ku u varros, sepse në shtratin e vdekjes kërkoi që trupi i tij të pushonte në paqe në një vend të fshehtë. Nuk deshi që mbi reliket e tij të ngrihej ndonjë kapelë ose kishë, siç ngrihej zakonisht mbi eshtrat e martirëve. Ishte shenjë përvujtërie: ashtu si kishte jetuar, ashtu edhe vdiq, duke lënë pas atë Kishë madhështore, e cila nuk ndërtohet me gurë, por me shpirtrat e njerëzve që fitohen për Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.