2018-05-08 13:14:00

Papa Françesku në Shën Martë: mos dialogo me djallin, është gënjeshtar i madh


Nuk duhet t’i afrohemi djallit, e as të dialogojmë me të: është i mundur, por ende i rrezikshëm, sepse të josh e, si qeni i tërbuar, i lidhur me zinxhirë, të kafshon, po e ledhatove! Ky, paralajmërimi i Papës gjatë Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. I gjithë reflektimi i Papa Françeskut u përqendrua tek figura e djallit, që nuk ka vdekur, por është dënuar, siç na e kujton Ungjilli i Liturgjisë së sotme, shkëputur nga Shën Gjoni (Gjn 16, 5-11).

Ruajuni nga mashtrimet e djallit

“Mund të themi se është duke dhënë shpirt” - shpjegoi Papa – sepse është mundur, e megjithatë nuk është aspak e lehtë t’i bësh ballë, sepse djalli është mashtrues, di t’i zgjedhë mirë fjalët, ashtu si e di edhe se ne na pëlqen të joshemi e të mashtrohemi – shpjegoi Françesku.

Ai e ka këtë aftësi; aftësinë për të joshur, për të mashtruar. Prandaj është shumë e vështirë ta kuptosh se është i mundur, sepse ai e fsheh disfatën e paraqitet me pushtet të madh, me një mori premtimesh marramendëse, me dhurata - të bukura, të mbështjella mrekullisht. Oh, ç’bukuri - brohoret ti - pa e ditur aspak ç’fshihet aty brenda. Mjaftohesh të shikosh kartën, që të duket e bukur. Djalli të josh me paketën, pa të lënë të shikosh ç’ka brenda. Di si ta shfrytëzojë, me propozimet e tij,  kotësinë tonë, kureshtjen tonë. Djalli të çon te burimi, e nuk të lë të pish ujë!

Drita është verbuese, po shuhet shpejt    

Gjahtarët thonë se nuk duhet t’i afrohesh krokodilit në ngordhje e sipër, sepse është ende në gjendje të të mbysë vetëm me një goditje të rrufeshme bishti. Kështu është edhe djalli, tejet i rrezikshëm. Edhe pse gjysëm i ngordhur, na paraqitet me të gjithë forcën e mundshme, me të gjitha propozimet, të gjitha të rreme! E ne, të marrët - pohoi akoma Papa - i besojmë. Djalli është mashtrues i madh, madje, ati i mashtrimit. Di të flasë bukur. Di edhe të këndojë, për të mashtruar: ashtu i mundur, sillet si fitimtar. Drita e tij është verbuese, si e fishekzjarreve, por zgjat vetëm një të imtë, shuhet sakaq, zhduket, ndërsa drita e Zotit është e ëmbël, e butë por edhe e përhershme. Drita e Zotit vijon të ndriçojë në amshim.

Të lutemi, të vigjilojmë, të agjërojmë

Djalli - rikujtoi Papa - na josh, di të na prekë pikërisht atje, ku na dhemb, të na ngacmojë kuriozitetin e ne ia blejmë gjithçka, që dëshiron të na shesë. Domethënë biem në tundim. Është, prandaj, i mundur i rrezikshëm. Duhet t’i ruhemi - nxiti Papa - duke na ftuar, me fjalët e Jezusit, të vigjilojmë, të lutemi e të agjërojmë. Sepse vetëm kështu mundet tundimi!

Nuk duhet t’i afrohemi djallit, qen i tërbuar në zinxhirë

Pra është themelore të mos i afrohesh sepse, siç thoshte një nga Etërit e Kishës, i ngjet qenit të tërbuar, të lidhur me zinxhirë: mos iu afro, prandaj, e mos e ledhato, sepse të kafshon!

Nëse unë e di se shpirtërisht po i afrohem këtij mendimi, i afrohem kësaj dëshire, nëse unë shkoj nga kjo apo ajo anë, do të thotë se jam duke iu afruar qenit të tërbuar e të lidhur. Ju lutem, mos e bëni  këtë. “Kam një plagë të thellë…!”. “ E kush ta bëri?”. “Qeni” - “Po, a s’ishte i lidhur?”. - “Eh, po, por mua m’u rrejt mendja e shkova t’i jap një përkëdhelje”. “Pse s’thua se re brenda me këmbët e tua?  Mos u afro kurrë, edhe kur është i mbërthyer me zinxhirë. Lëre të lehë aty ku është, i lidhur”.

Mos dialogo me djallin

Së fundi, duhet të kemi kujdes të mos dialogojmë kurrë me djallin, siç bëri Eva: “pandehu se ishte teologe e madhe e ra brenda”. Jezusi nuk e bën këtë: në shkretëtirë i përgjigjet me Fjalën e Zotit. I dëbon djajtë, disa herë ua kërkon emrin, por për të dialoguar me ta, nuk dialogon kurrë. Nxitja e Papës, pra, është krejt e qartë: “Mos bëj muhabet me djallin, se ai fiton, është më velet nga ne”.

Të kërkojmë strehë tek Nëna e Zotit

“Djalli i zi vishet si engjëlli i dritës, ndërsa është engjëll i errësirës, engjëll i vdekjes”.

Është i dënuar, i mundur, i lidhur me zinxhirë, në ngordhje e sipër, por akoma i aftë të bëjë kërdi. Ne duhet të lutemi, të bëjmë pendesë, të mos i afrohemi, e sidomos, të mos dialogojmë kurrë me të. E, së fundi, duhet të shkojmë tek nëna, si fëmijët, që tremben nga qeni. Kur fëmijët kanë frikë, vrapojnë tek Nëna: “Nënë nënë… kam frikë!”. Kur shikojnë ëndrra të këqija, shkojnë tek nëna…

Të shkojmë, prandaj, tek Zoja: ajo na ruan. E Etërit e Kishës, posaçërisht mistikët rusë, na kujtojnë: “Në kohën e trazirave shpirtërore, duhet të strehohemi nën mantelin e Nënës së madhe të Zotit. Të shkojmë tek Nëna! Ajo na ndihmoftë në këtë luftë kundër të mundurit, kundër qenit të lidhur, për ta fituar betejën kundër tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.