Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa Françesku në Loppiano: 6 mijë vetë për ta pritur në qytezën e Fokolarëve. Edhe 12 murgjër budistë dhe “britma” e Sirisë

Papa në një nga takimet me Fokolarët

08/05/2018 08:00

Gjashtë mijë vetë priten të enjten, më 10 maj, në Loppiano, për vizitën e Papës Françesku në qytezën e Lëvizjes së Fokolarëve. Mirëseardhjen Papës do t’ia japin edhe 12 murgjër budistë të Tailandës, shenjë e një qyteti, që e ka trashëguar karizmën e unitetit të Chiara Lubich. Loppiano, qytet i hapur për të gjithë. Një familje, që jeton me dashuri reciproke!

Papa Françesku do të arrijë në orën 10.00, pasi të ketë vizituar, në orët e para të paradites, bashkësinë e Nomadelfia-s. Do të zbresë nga helikopteri në një hapësirë pranë “Sallonit të Shën Benediktit” e do të arrijë me makinë elektrike të zbuluar në Shenjtëroren “Maria Theotokos”- “Maria, Nëna e Zotit”

Papa -  kështu flasin për agjencinë Sir nga Loppiano - kërkoi të kalojë sa më pranë turmës, për të pasur mundësinë t’i përshëndesë njerëzit e të jetë sa më afër tyre. Françesku do të hyjë në Kishë e, pasi t’i ketë dhuruar një tufë me lule Zojës, do të gjunjëzohet për ndonjë minut. Pastaj do të dalë në tribunën e ndërtuar në tremen e shenjtërores: në këtë pikë parashikohet fjalimi i mirëseardhjes nga ana e Maria Voce-s, kryetare e Lëvizjes së Fokolarëve si dhe përshëndetja fillestare e mbajtur nga Papa.

Më pas Françeskut do t’i paraqiten realitetet e ndryshme të Loppianos e do të ketë me ta një çast dialogu, me pyetje-përgjigje, ndërmjet tij e banorëve të qytezës.

Do të jetë edhe Violet, nga Siria, që do të këndojë një këngë. Violet dhe bashkëshorti i saj, Issa, mjek gjinekolog, së bashku me katër fëmijët e tyre, erdhën në Loppiano katër vjet më parë për të marrë pjesë në “Shkollën e Loretos”, një përvojë prej dhjetë muajsh kushtuar familjeve. Por pas këtij viti lufta në Siri u bë e padurueshme, e dhunshme, kërcënuese për jetën, Qyteti ku banonin, u pushtua. Provuan të kthehen në shtëpi. Por një bombë, që shpërtheu 200 metra larg tyre, i tmerroi. E kuptuan se e vetmja rrugëzgjidhje ishte të mbeteshin në Loppiano.

E mbetën, emigrantë, në mërgim për pesë vjet… Kënga, që do të këndojë Violet për Papën, titullohet “Britma e popullit tim!”. Kam frikë për fëmijët e mi - shkruhet në tekstin e këngës – tmerrohem për tokën time, qaj për njerëzit! Na e vodhën dashurinë nga zemrat; u bëmë njerëz të shprishur. Na e prenë rrugën e jetës e më nuk dimë ku të shkojmë! Ku të nisemi? Ku do të arrijmë? Syri nuk fle. E nuk fle kurrë as zemra jonë”.

Këngë e trishtuar, në atmosferën e një feste gazmore, në të cilën sigurisht nuk do të harrohet ky trishtim i tokës së martirizuar siriane e as ëndrra për t’u rikthyer atje, prej nga shumë, tepër shumë sirianë, u larguan me lot në sy, brengë në shpirt e dëshirë për riatdhesim!

08/05/2018 08:00