2018-05-07 11:59:00

Papa Françesku dhe gazetaria e paqes në shërbim të njeriut


Të diel, më 13 maj, do të kremtohet Dita e 52-të Botërore e Komunikimeve Shoqërore. Mesazhi i Papës Françesku për këtë rast, përqendrohet mbi temën: “E vërteta do t’ju bëjë të lirë. Fake news (lajmet e rreme) dhe gazetaria e paqes” .

Të nxitet gazetaria e paqes, gazetari, e cila bëhet nga njerëzit e për njerëzit. Kjo, sfida e Papës Françesku për botën e informacionit botëror, në mesazhin për Ditën e 52-të të Komunikimeve Shoqërore që, në shumë vende, kremtohet të diel, më 13 maj, festë e Të Ngjiturit të Zotit në qiell. Në dokumentin, botuar më 24 janarin e kaluar, përqendruar mbi të vërtetën e, sidomos, mbi gazetarinë e paqes, Papa uron që gazetaria të jetë në shërbim të të gjithë njerëzve, posaçërisht të atyre “që nuk kanë zë”. Një gazetari - nënvizon Françesku - që angazhohet të gjejë rrugëzgjidhje alternative, “përballë shkallëzimit të vazhdueshëm të bujës e të dhunës verbale”.

Gazetarët t’i shërbejnë së vërtetës, jo interesave të posaçme

Papa e ka shumë për zemër lidhjen e gazetarisë me paqen, të informacionit me kulturën e takimit. Që në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2016, Ati i Shenjtë pati nënvizuar se mjetet e komunikimit shoqëror kanë përgjegjësi të madhe në përpjekjen për ta mposhtur indiferencën e për të ndërtuar paqen. E kjo mund të realizohet “duke u vënë në shërbim të së vërtetës, jo të interesave të veçanta”. Mesazhi, duke pasur parasysh posaçërisht të rinjtë, nënvizonte se mjetet e informacionit jo vetëm që informojnë, por edhe e formojnë shpirtin e atyre, të cilëve u drejtohen. Prej këndej, për gazetarët është themelore të vigjilojnë mbi botën, nga e cila marrin e për të cilën japin informacione.

Gazetarí, që i jep zë kujt nuk ka zë

Informimi duhet të jetë “mjet ndërtimi” e jo “armë shkatërrimi”.Tek kjo temë Françesku rikthehet me forcë në Fjalimin drejtuar Këshillit Kombëtar të Urdhërit të gazetarëve italianë. Gazetaria, pohon më 22 shtator 2016, “duhet ta respektojë gjithnjë dinjitetin e njerëzve”. Natyrisht - vëren - “kritika është e ligjshme” e aq më shumë “padia e së keqes”. Por kjo duhet bërë duke e respektuar tjetrin, gjithnjë. Gazetaria - tërheq fort vëmendjen Papa - nuk mund të bëhet armë për shkatërrimin e njerëzve e deri të popujve. Nuk duhet as të ushqejë frikë përballë ndryshimeve a fenomeneve, si emigrimet e detyruara nga lufta dhe uria. Gazetaria - pohon Françesku - duhet të jetë mjet ndërtimi, faktor, që i shërben së mirës së përbashkët, përshpjetuese e proceseve të pajtimit, që favorizojnë kulturën e takimit.

Mediat katolike të shpallin Ungjillin e Paqes

Në qershor të vitit 2017, Papa i fton shprehimisht gazetarët katolikë “të vazhdojnë të kërkojnë të gjitha mjetet teknologjike e shoqërore, që të mund të bashkëpunojnë me sukses në misionin universal të Kishës për shpalljen e Ungjillit të paqes”. E bën këtë nga tribuna e Kongresit botëror të Signis, në Québec City, ku Françesku paraqitet me një mesazh, përmes të cilit u kërkon anëtarëve të shoqatës katolike ndërkombëtare për komunikimin “të frymëzojë shpresë për çdo njeri, e, sidomos, atje ku jeta provon shijen e  hidhur të dështimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.