2018-05-07 13:51:00

Dialogu me Kinën, “falë hapave të vogla, por të mëdha”


Javën e kaluar ju paraqitëm të parin nga 10 reflektimet mbi marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kinës, për të cilat është folur mjaft në shtyp, kohët e fundit. Edhe sot, do të mundohemi të kuptojmë pse Kisha hyn në dialog me autoritetet kineze? Në Kinë, katolikët kanë mbetur besnikë ndaj Ungjillit, pavarësisht nga vuajtjet e shkaktuara gjatë regjimit komunist. Ҫfarë mund t’i shtojë dialogu këtij realiteti?

Dialogu është përmasë themelore e jetës së Kishës

         Dialogu është përmasë themelore e jetës së Kishës. Ai zë vend parësor në mënyrën e saj të veprimit, si brenda saj, ashtu edhe në marrëdhëniet me botën. Të dialogosh do të thotë të hysh në kontakt me shoqërinë, me fetë, me kulturat… Që në Koncilin II të Vatikanit, Kisha ftonte të përdorej dialogu si stil në veprimtarinë baritore, jo vetëm ndërmjet anëtarëve të Kishës, por edhe në marrëdhëniet me jo të krishterët, me autoritetet civile e me të gjithë njerëzit vullnetmirë. Në Kushtetutën “Gaudium et Spes”, thuhet: “…të gjithë njerëzit, besimtarë e jo besimtarë, duhet të kontribuojnë në ndërtimin e drejtë të kësaj bote, në të cilën jetojnë: kjo, sigurisht, nuk mund të arrihet pa një dialog të ndershëm e të kujdesshëm” (n.21).

Atmosferë dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kinës, falë hapave të vogla të papëve të fundit

         Atmosfera aktuale e dialogut ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës është arritur falë hapave të vogla, por të mëdha, të papëve të fundit, secili prej të cilëve ka hapur një udhë, ka shtuar një tullë në ndërtesën e re, ka frymëzuar mendime e vepra shprese. Le të mendojmë për ekuilibrin e Papës Pali VI, për këshillat e qarta të Shën Gjon Palit II e të Benediktit XVI mbi dialogun proaktiv me autoritetet kineze. Së fundi, mendja na shkon tek përshpejtimi, që po i jep kësaj rruge Papa Françesku, i cili, me personalitetin, gjestet dhe magjisterin e tij, po përvijon një proces afrimi dhe takimi ndërmjet popujve, përfshirë atë kinez.

Dialog, i frymëzuar nga kërkimi i së vërtetës dhe i drejtësisë

         Kisha e ka zgjedhur dialogun jo si qëllim në vetvete, as si kërkim të kompromisit me çdo kusht, ose si heqje dorë nga parimet e veta për hir të një suksesi politik apo diplomatik, duke e harruar kështu rrugën plot vuajtje të bashkësisë katolike kineze. Dialogu duhet të bazohet mbi të vërtetën e drejtësinë, duhet të orientohet kah e mira e gjithanshme e njeriut e të respektojë të drejtat e tij themelore. Nga ana tjetër, misioni i Kishës, edhe në Kinë, nuk është ndryshimi i strukturës apo i administratës së shtetit. Nëse ajo do të hynte në ndonjë betejë politike me pushtetin e kësaj bote, do ta tradhtonte natyrën e saj të vërtetë transhendentale. Në këtë kuptim, edhe kur zëri i Kishës bëhet kritik, kjo nuk ndodh për polemikë, për ndonjë dënim të shterptë, që s’çon askund, por për të promovuar, me frymë konstruktive, një shoqëri më të drejtë. Kritika bëhet kështu ushtrim i dashurisë së saj baritore, pasi përmbledh në vetvete britmën e vuajtjes së të brishtëve, që shpesh, nuk kanë forcë e pushtet për ta ngritur zërin. Prandaj, sipas Selisë së Shenjtë, edhe në Kinë, metoda e dialogut të sinqertë e plot respekt, megjithëse e vështirë e jo pa rreziqe, do të krijojë mundësinë e një konfrontimi të dobishëm për njohjen reciproke dhe të aftë të kapërcejë gradualisht keqkuptimet e së kaluarës, edhe të atyre të kohëve të fundit.

Zoti po punon konkretisht për të ardhmen e katolikëve kinezë

         Sot, sinjale të ndryshme tregojnë se Kina është gjithnjë e më e kujdesshme ndaj “pushtetit të butë”, që ushtron Selia e Shenjtë në nivel ndërkombëtar. Historia vijon rrjedhën e saj dhe kërkon një shoshitje më të vëmendshme nga përgjegjësit e Kishës. Pikërisht për këtë, dialogu që ka filluar Selia e Shenjtë me autoritetet kineze, që prej një çerek shekulli, merr sot konturet e një detyre të vërtetë baritore për ata, që duan të interpretojnë shenjat e kohrave, duke e kuptuar se Zoti është i pranishëm në histori, e udhëheq atë me Provaninë e vet dhe po punon konkretisht edhe për të ardhmen e katolikëve kinezë.








All the contents on this site are copyrighted ©.