2018-05-06 14:00:00

Papa në famullinë romake të Tor dé Schiavi: të duash do tё thotë t'u shërbesh të tjerëve


Sot pasdite Papa Françesku ishte për vizitë baritore në famullinë e të Shenjtnueshmit Sakrament. I ngjeshur, por edhe shumë i pasur, programi i kësaj vizite të shumëpritur nga besimtarët, gjatë së cilës Papa përuroi një shtëpi-familje për njerëz me aftësi të kufizuara, ndërtuar poshtë çatisë së Kishës. Françesku kremtoi edhe një ngjarje të paharruar për këta njerëz: i dha sakramentin e Krezmimit një vajze të vogël, prekur nga një sëmundje e ngjashme me atë të vogëlushit Alfie Evans, për të cilin Papa bëri atë, që mund ta bënte vetëm një atë i dhimbshëm.

"'Qёndroni në dashurinë time', kjo është këshilla që Jezusi u jep apostujve para se të vuante, para se të vdesë: dhe kjo është këshilla që na jep edhe ne. Ai na thotë: "Qëndroni në dashurinë time, mos dilni nga dashuria ime’. Dhe secili prej nesh mund të pyesë veten në zemёr, në zemrёn e vet:" unë a qëndroj në dashurinë e Zotit apo dal jashtë, jam në kërkim të gjërave tjera, të dëfrimeve tjera, nё kёrkim tё sjelljeve tjera të jetës? ". Kёshtu tha mes tjerash Papa Françesku në predikimin e Meshёs, duke folur pa tekst, kremtuar në famullinë romake të Shenjtueshmit Sakrament, në Tor de 'Schiavi.
"Por të qëndrosh në dashuri do tё thotё të bëjmë atë që Jezusi bëri ne - shpjegoi Papa-. Ai e dha jetën e tij pёr ne, ai qe shërbëtori ynё, ai erdhi për të na shërbyer. Të qëndrosh në dashuri do të thotë t'u shërbesh tjerëve, të jesh në shërbim të tjerëve".

Dy fjalë për famullinë

Famullia romake e të Shenjtnueshmit Sakrament në Tor de’Schiavi, është krejt e veçantë. Nuk të duket kështu, pra, nëse e shikon nga jashtë. Parë nga jashtë, vëren një sërë pallatesh, të radhitura njëri pas tjetrit, në një rrethinë jo aq të largët nga zemra e Qytetit të Amshuar. Shumë dyqane të vogla e të mesme, shenjë që flet për një ind shoqëror akoma plot gjallëri, që vijon t’u bëjë ballë tundimeve nihiliste të qendrave të mëdha tregtare. Por, nëse ulesh e shkëmben dy fjalë me famullitarin, don Maurizio Mirilli, kujtohesh menjëherë se aty duhet të ketë patjetër diçka të jashtëzakonshme. Meshtari nis e i tregon plot pasion kujtdo, pikërisht atë që Papa e pa me sy dhe e preku me dorë të vet. Pa çudirat e famullisë së vogël, me njerëz të thjeshtë, që Atit të Shenjtë i pëlqejnë më shumë se të gjitha pasuritë e botës. E pa, sidomos, të rinj, shumë të rinj, me të cilët u mor sapo shkeli këtu, famullitari i pasionuar. Duke i thithur, përmes tyre, edhe prindërit. Të rinj e prindër, të cilët sot e rrethuan me entuziazëm e dashuri Mysafirin e lartë. Ishte një sukses i vërtetë, ky takim, për të gjitha palët.

Ëndrra bëhet zhgjëndërr: një shtëpi-familje për jetimë të gjymtë

Papa ishte aty sot, pranë dom Maurizio-s, të cilit e gjithë kjo që po shikonte, i dukej si ëndërr. Ëndërr, e bërë realitet konkret bamirësie. Disa nëna të motuara i patën kërkuar ndihmë për të asistuar fëmijët me aftësi të kufizuara. Po ç’mund të bënte? Nuk e dija - i tregoi i emocionuar Papës. Mund të bëja një gjë të vetme: të lutesha! Pastaj Zoti ma shndriti mendjen e atëhere më lindi ideja të krijoj një shtëpi-familje, të kujdesem unë vetë për ta.

E shtëpia jo vetëm u realizua, por, gjë të cilën famullitari vërtet nuk do të kishte mundur as ta ëndërronte, u përurua nga vetë Papa Françesku sot, gjatë vizitës së tij në këtë famulli, që bashkon besimtarët e një zone me emërin Tor’ dé Schiavi – Kulla e Skllevërve. Emër të cilin e mori më 1560, kur kulla oktagonale mesjetare, që naltohet këtu, u bë pronë e imzot Dello Schiavo. E sot, si të donte ta sfidonte emrin “skllav”, mbetur nga shekujt e largët, me të cilin vijon të quhet krejt zona, streha  e ndërtuar mbi çatinë e kishës u quajt “Shtëpia e gëzimit” e u përurua me dorën e vetë Papës, në ditën e vizitës së tij. Nuk mungonte as kardinali Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës e kryetar i Caritas Internationalis, një nga të parët, që e inkurajoi don Maurizio-n për ta realizuar dëshirën e tij.

Gjashtë fëmijë, banorë të strehës së re

Që sot nën këtë strehë hynë për herë të parë gjashtë fëmijë me aftësi të kufizuara të kësaj lagjeje, të gjashtët të mbetur jetimë. Të tjerët, ndërkaq, do marrin pjesë në qendrën ditore, me që kanë fatin të jetojnë me prindërit e tyre. E gjithë kjo është vetëm fillimi - i shpjegon Papës don Mirilli - i cili nuk dëshiron ta lërë veprimtarinë e tij “normale” bamirëse, që e kryen prej vitesh në këtë famulli, duke nisur nga ndihma për të moshuarit, nëpër shtëpitë e tyre, deri tek shërbimi që njihet me emrin “bashkëpronarë solidarë”, qendër lëvizëse dëgjimi në shtëpizat e ngritura njëra përbri tjetrës, në këtë zonë.

Sakramenti i Krezmimit, vajzës së prekur nga sëmundja e ngjashme me atë të vogëlushit Alfie 

Papa arriti në këtë mjedis në orën 16.00. Në orator iu përgjigj pyetjeve  të një prindi, të një të reje, të një adoleshenti e të një fëmije. Më pas u takua me të sëmurët, të moshuarit, fëmijët me kufizime dhe me veprimtarët shoqërorë.

Pastaj, e pikërisht në orën 17.30, kremtoi Meshën Shenjte. Edhe në këto çaste besimtarët u prekën thellë: Papa Françesku i dha sakramentin e Krezmimit Majës dymbëdhjetëvjeçare, prekur nga e njëjta sëmundje, që ia mori jetën vogëlushit Alfie. Ishte përgjigje, që i jepej jetës, ky Sakrament. Maja dëshmoi se jeta mund të fitojë mbi vdekjen, edhe pse rasti i saj klinik ishte më i vështirë, se ai i Alfie. Françesku e përqafoi, edhe ai thellësisht i prekur, fëmijën që i kishte bërë ballë një ndeshjeje titanike, duke mbetur gjallë. Ç’shenjë mund të jetë më e bukur se kjo? Së bashku me Majen, Papa Françesku  krezmoi edhe nënën e saj, Paola. Pas udhës së vështirë, që iu desh të bënte gjatë sëmundjes së vajzës, vendosi të kthehej në fenë e Krishtit. Sigurisht edhe falë Majes së saj, të voglës-së madhe. E famullisë, që nuk i braktisën kurrë ëmë e bijë!

Këto mbresa të thella la – e mori me vete - Papa, duke u kthyer në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.