2018-05-04 12:41:00

Papa: ipeshkvijtë t’i mbrojnë besimtarët nga ata, që i çorientojnë


Ruajtja e fesë dhe përforcimi në fe: kësaj teme ia kushtoi sot Papa homelinë e Meshës së mëngjesit. Frymëzimin për reflektimin e sotëm Papa e mori nga Leximi i Parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve, në të cilin përshkruhet një çast i vështirë në gjirin e bashkësisë së Antiokisë.

Çorientimi i popullit të Zotit

“Mësuam se disa prej nesh, të cilëve nuk u kishim ngarkuar asnjë detyrë, erdhën e ju trazuan me fjalimet e tyre, duke i turbulluar shpirtrat tuaj” - u shkruajnë në një letër këtyre të krishterëve Pjetri e apostujt, duke vendosur, së bashku me Shpirtin Shenjt, të kundërveprojnë, për ta rikthyer paqen. Në Antioki, së bashku me letrën, nisin edhe Barnabën e Palin, të shoqëruar nga disa njerëz të besuar. E, duke e lexuar këtë letër, të krishterët gëzohen – vijon rrëfimi në Veprat e Apostujve - “për inkurajimin, që po u jepej”. Ata, që u paraqitën për t’i mbrojtur njerëzit, si ortodoksë të doktrinës së vërtetë - kujtoi Papa - “duke besuar se ishin teologë të mirëfilltë të krishterimit”, ia morën mendtë popullit; ndërsa apostujt, e ipeshkvijtë e sotëm, e përforcojnë në fe.

Ipeshkvi vigjilon e ruan

“Ipeshkvi - pohoi Françesku - është ai, që rri gjithnjë zgjuar e vigjilon: është roja e agimit! Di të vëzhgojë, për ta mbrojtur grigjën nga ujqit, që nuk mungojnë kurrë në pyllin e thellë e të ngatërruar të jetës njerëzore. Por ipeshkvi bën diçka më shumë - pohoi Papa - si bari, që është, rri zgjuar! Fjalë e bukur, kjo, për të përshkruar thirrjen e ipeshkvit - kujtoi - e më pas shpjegoi:

“Të  rrish zgjuar do të thotë të marrësh pjesë në jetën e grigjës; Jezusi e dallon si s’ka ku të vejë më mirë bariun e vërtetë, nga rrogëtari, nga ai, të cilit i interesojnë paratë që merr, jo çasti kur vjen ujku e nis e i shqyen një nga një të gjitha delet. Rrogëtari fle, ndërsa bariu nuk vë gjumë në sy, sepse jeton me jetën e grigjës. Bariu i mbron jo vetëm të gjitha delet, por edhe secilën. E përforcon secilën. E nëse i ikën, shkon ta kërkojë e nuk ndalet, derisa ta rikthejë në grigjë. Është aq i lidhur me delet e veta, sa nuk lejon t’i humbasë as edhe një e vetme!

Ipeshkvi, gjithnjë pranë njerëzve të tij

Ipeshkvi i vërtetë i njeh me emër delet e veta - e kjo na lë të kuptojmë - pohoi Françesku - mënyrën si e koncepton Jezusi ipeshkvin: “gjithnjë pranë”. E Shpirti Shenjt i jep popullit të krishterë frymën, aftësinë për të kuptuar ku është ipeshkvi i vërtetë.

Sa herë kemi dëgjuar të thuhet: “Ehhh, ky ipeshkëv…! Po, është i mirë, por nuk kujdeset shumë për ne, sepse gjithnjë i zënë me punë të tjera” ose “ky ipeshkëv ngatërrohet me shumë punë, është paksa afarist. E kjo nuk shkon!”, e akoma “ky ipeshkëv është gjithnjë me valixhe në dorë, gjithnjë në lëvizje, kudo”; ose “kitarrën-në-dorë” e… Kështu mund të mendojë secili… E pikërisht…populli i Zotit e nuhat menjëherë kur bariu është bari, kur bariu është pranë, kur bariu di të rrijë syçelur e kur është gati të japë jetën për të. E kjo quhet afërsi!

Mos mungoftë kurrë roja e barinjve!

Kështu duhet të jetë jeta e ipeshkvit e kështu edhe vdekja e tij! E Papa kujtoi sot shembullin e Shën Turibit të Mogrovejos, i cili i mbylli sytë në një fshat të vogël indianësh, i rrethuar nga të krishterët e tij, të cilët i binin kirimisë, vegël muzikore tradicionale e Amerikës Latine,  që ai të vdiste në paqe…

Ta lusim Zotin të na japë gjithnjë barinj të mirë e Kishës të mos i mungojë kurrë roja e barinjve: nuk mund të shkojmë përpara pa ta. E ta lusim edhe që të jenë punëtorë, njerëz të lutjes, gjithnjë pranë popullit të Zotit… ta themi me një fjalë të vetme: burra që dinë të rrinë zgjuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.