2018-05-03 12:09:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Gjyqtarëve


Kur dëgjojmë të flitet për “gjyqtarë” na vjen ndër mend një sallë gjykate, një i pandehur, avokatë… Por ka edhe një libër të Biblës, që mban këtë emër, Libri i Gjyqtarëve. Mund ta konsiderojmë shoqërues të popullit të Izraelit nga koha kur ai hyri në Tokën e Kanaanit, me Jozuehun, deri tek lindja e monarkisë dhe ngjarjet e lidhura me mbretin e madh David. Ky është libri biblik, për të cilin do të flasim sot, gjithnjë, duke iu referuar meshtarit italian, Federico Tartaglia dhe vëllimit të tij, “Është ora e leximit të Biblës”.

Paraqitja e heronjve të Izraelit

Libri përfshin një kohë mjaft të gjatë, më se 200 vjet e, më shumë se përshkrimi i jetës së gjyqtarëve, ashtu si i kuptojmë ne sot, është paraqitja e heronjve të Izraelit. Mjafton të mendojmë për Gjedeonin e për Samsonin, dy luftëtarë të mëdhenj, me aftësi të jashtëzakonshme ushtarake e madje, me forcë mbinjerëzore.

Por, nuk mund të mohohet se kemi të bëjmë me një periudhë mjaft të errët të popullit të zgjedhur. Fiset, që kanë mbërritur në tokën e premtuar, nuk janë bashkuar akoma në një komb; ndahen në qytet-shtete e kanë krijuar aleanca, një lloj konfederate ndërmjet fiseve, tashmë gjysëm-nomade. Mungon uniteti rreth një mbreti, mungon ndjenja se izraelitët i përkasin një kombi të vetëm… e pikërisht në këtë mungesë, Zoti nuk vonon të frymëzojë burra të fortë e urtë, që e mbajtën gjallë fenë e Izraelit.

Gjykatës i parë është grua, Debora

Gjykatës i parë – e kjo mund të na habisë – është grua, Debora, që në kapitullin IV të Librit e nxit kreun e fisit të Neftalit të bëjë luftë kundër ushtrisë së Jabinit. Pastaj, një grua tjetër, Jahela, do të vrasë komandantin e ushtrisë armike, duke e joshur në tendën e vet e kjo do t’i sjellë fitoren Izraelit. E ja, ndeshemi me këngën e Deborës, në kapitullin V, që mund të konsiderohet kompozimi i parë poetik i krejt Biblës. Një arsye më shumë për ta lexuar Librin e Gjyqtarëve.

Gjedeoni

Gjykatësi i dytë është Gjedeoni, i cili do të mundë madianët. Duke lexuar historinë e tij, në kapitujt 6-8, fillojmë të kuptojmë teologjinë, që përvijohet në këtë libër e që shoqëron të gjithë librat historikë:

- Izraeli bën çdo gjë, që sytë e Zotit e shohin për keq dhe e braktis Hyun për t’u shërbyer zotave të tjerë…
- Zoti atëherë, e vë Izraelin në duart e armiqve të vet…
- Izraeli i larton britmën e lutjen e vet Zotit…
- Hyu sjell në mesin e popullit një gjykatës…
- Armiku mundet dhe vendit i kthehet paqja.

I tillë është rasti i Gjedeonit, që mund madianët, të cilët i kishin ngritur çadrat në tokën e Kanaanit, pranë lumit Jordan. Ndërsa ushtria e Izraelit priste sinjalin e betejës, Zoti i flet kështu Gjedeonit:

“Ke tepër popull me ty… Izraeli mund të lëvdohet e të thotë: ‘Me forcat e mia u çlirova!’ Fol me popullin dhe shpall aty ku mund të të dëgjojnë të gjithë: ‘Kush trembet dhe është frikacak, le të kthehet” (Gjq 7,2-3).

Së fundi mbeten pak njerëz e Gjedeoni, vetëm me 300 burra, natën, sulmon çadrat e madianëve, të cilët ikin të frikësuar.

Samsoni

Edhe më e famshme e më kinematografike është historia e gjatë e Samsonit (kapitujt 13-16). Populli i zgjedhur joshet nga hyjni të huaja. Duket atëherë në skenë i fundmi i gjyqtarëve të mëdhenj të Izraelit, Samsoni, emri i të cilit do të thotë “njeri i diellit”. Samsonit do t’i duhet të përballet me armiq të fortë e të armatosur deri në dhëmbë: filistenjtë. Që fëmijë, Sansoni i është kushtuar Zotit me ndjetin për të mos e rruar mjekrrën, për të mos i prerë flokët e për të mos pirë pije dehëse. Ka muskuj të fuqishëm e në shumë raste, i mund e tallet me filistenjtë, deri sa dashurohet me Dalilën, grua filistee, që ia vjedh sekretin e forcës së tij. Një natë, Dalila ia pret flokët dhe e lidh fort.

Forca e Samsonit zhduket aty për aty. Jo sepse lidhej me flokët e tij të gjatë, por sepse ai, duke ia zbuluar Dalilës sekretin, tradhton Zotin, duke mos e mbajtur premtimin, që i pati bërë. Hyu e braktis e filistenjtë e kapin, i nxjerrin sytë dhe e lidhin në gurin e një mulliri. Kur Samsoni e kupton se kishte mëkatuar e se nuk mund t’i besonte forcës së vet, por vetëm Zotit të Gjithpushtetshëm, e bën sërish kushtin. Flokët i rriten e Zoti i dhuron sërish forcë e guxim. Por do t’i duhet të flijohet për të fituar mbi filistenjtë.

Izraeli shpëton, sepse Zoti e ndihmoi “me dorën e fuqishme e me krahun e shtrirë”

Skena e tempullit, ku e çojnë filistenjtë për ta përqeshur, është vërtet e denjë për film, siç e kanë vënë re edhe shumë regjizorë, që e kanë propozuar. Samsoni kërkon të prekë shtyllat e, me duar, shtyn njërën nga e majta e tjetrën nga e djathta, duke e shembur tempullin. Ndërtesa zë brenda vetes popullin, krerët e edhe vetë Samsonin, i cili, me vdekjen e tij, vret më shumë armiq nga ç’kish bërë gjithë jetën. Edhe një herë, Izraeli shpëton, sepse Zoti e ndihmoi “me dorën e fuqishme e me krahun e shtrirë”, siç thuhet në Librin e Gjyqtarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.