2018-05-03 13:37:00

Udhëzime për formimin e atyre, që merren me çështjet e anulimit të martesës


“Studimet e së Drejtës Kanonike, në dritën e reformës të procesit martesor”. Ky, titulli i Udhëzuesit të Kongregatës për Edukimin Katolik, që u bë i njohur sot. Në intervistën e imzot Angelo Vincenzo Zanit, sekretar i së njëjtës Kongregatë, nënvizohet se është në shërbim të përgatitjes më të mirë në Kishat e veçanta, pikërisht për ta vënë në jetë reformën e dëshiruar nga Papa.

Në dritën e risive të reformës së proceseve kanonike për çështjet e deklarimit të anulimit  të martesave, të vënë në jetë nga Papa me dy Motu Proprio Mitis Iudex Dominus Iesus e Mitis et misericors Iesus, në Kishat e veçanta duhet punuar për një formim më të kujdesshëm. Për ta realizuar këtë, Kongregata për Edukimin Katolik hartoi Udhëzuesin, që u bë i njohur sot. Ndërsa institucionet akademike duhet të përkojnë me normativën e re, që nga fillimi i vitit akademik 2019-2010, njofton një komunikatë shtypi e Dikasterit të Vatikanit.

Amoris laetitia

“Pikënisja, e cila e shtyu Kongregatën për Edukimin Katolik t’i botojë “orientimet” për formimin e anëtarëve të Gjykatave kishtare dhe të njerëzve të ndryshëm, që merren me baritorinë martesore e familjare, ishte dokumenti i Papës Françesku, domethënë, Nxitja Apostolike pas-sinodale Amoris laetitia. Në të theksohet nevoja e lehtësimit të procedurave,  që kanë të bëjnë me njohjen e rasteve të anulimit - pohon imzot Zani, sekretar i  Kongregatës për Edukimin Katolik.

Më shumë përgjegjësi në dioqeza lidhur me proceset e pavlefshmërisë

Duke theksuar “zvarritjet” e shpeshta, imzot Zani vë në dukje se “për ta vënë në jetë këtë kërkesë të nënvizuar fort nga Etërit Sinodalë”, Papa botoi Mitis Iudex, duke dhënë udhëzime të sakta mbi nevojën e pjesëmarrjes së drejpëdrejtë të ipeshkvit dhe të Kishës së tij, duke qenë, për arsye të detyrës, edhe gjykatës ndërmjet besimtarëve, që i janë besuar. E duke u kërkuar, prej këndej, kishave të veçanta, të kenë më shumë përgjegjësi në fillimin e praktikave për çështjet e kërkimit të anulimeve martesore. Prandaj, kërkesa për të siguruar personelin e përshtatshëm dhe formimin e tij. Në këtë drejtim nuk mungojnë kurset e formimit, që janë mjaft të specializuara, por përgjegjësinë më të madhe - shton imzot Zani, e kanë Fakultetet e së Drejtës Kanonike në botë, që nuk janë të mjaftueshme për të përgatitur këtë personel. Atëhere duhen kërkuar udhë të tjera, ndër të cilat, forcimi i 42 fakulteteve të së Drejtës Kanonike, por edhe, e sidomos, kualifikimi i njerëzve, që tashmë merren me këtë detyrë kaq delikate. Për ta kapërcyer këtë zbraztësi, mendohet që edhe në Fakultetet e Teologjisë, të hapen Departamente të së Drejtës Kanonike e, sidomos, t’i kushtohet vëmendje e dorës së parë përgatitjes së personelit në Kishat e veçanta.

Imzot Zani shpjegon se ka tre nivele personeli të kualifikuar për t’i shoqëruar njerëzit që kalojnë vështirësi e që duan ta kuptojnë nëse martesa e tyre është e pavlefshme, apo edhe mund ta rifitojë vlerën e humbur. Niveli i parë është ai baritor: prej këndej, meshtarët dhe bashkëpunëtorët e tyre duhet të jenë më të formuar në këto problematika. Niveli i dytë kërkon krijimin në dioqezë të qendrave baritore familjare më të kualifikuara, me njerëz që i njohin mirë problematikat e kësaj natyre. I treti, ka të bëjë me Gjykatat, ku nuk duhet të ketë vetëm një kryetar, por një ekip të tërë bashkëpunëtorësh, me përgatitje të plotë për t’i përballuar këto tematika e për ta realizuar këtë tip shërbimi, që e dëshiron aq shumë Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.