Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa Françesku: feja transmetohet me dashuri e dëshmi

Papa kremton Meshën në Shën Martë

03/05/2018 12:20

Ta përçosh fenë, nuk do të thotë të bësh prozelitizëm, “të vihesh në kërkim të njerëzve, që ta mbështesin këtë skuadër futbolli”. Ose “këtë qendër kulturore”. Jo! Feja duhet transmetuar me dashuri. Ky, thelbi i reflektimit të Papës Françesku në homelinë, mbajtur gjatë Meshës në Shën Martë. Duke u nisur nga një fragment i Letrës së Shën Palit drejtuar korintianëve, Papa sqaroi se fe nuk do thotë vetëm të përsëritësh Besojmën. Feja shprehet në të e përmes saj.

Feja nuk jepet, lindet

Ta përçosh fenë nuk do të thotë “të japësh informacione”, por “të themelosh një zemër”, ta mbushësh me fe në Jezu Krishtin. Të jesh i krishterë nuk do të thotë të hapësh mekanikisht një librec a të marrësh ca njohuri. Të jesh i krishterë do të thotë të jesh pjellor në transmetimin e fesë, ta lindësh fenë, “ashtu si Kisha, që është Nënë e lind bij në fe”.

“Ta transmetosh fenë nuk do të thotë të japësh informacione, por të themelosh një zemër në fe, në Jezu Krishtin. Transmetimi i fesë nuk mund të bëhet mekanikisht: ‘Epo, na, merre këtë librec, studioje mirë e mirë e pastaj të pagëzoj’. Jo! Nuk është kjo, udha e transmetimit të fesë. Është tjetër: duhet të transmetojmë atë, që e morëm. Kjo është sfida e të krishterit: të jetë pjellor në përçimin e fesë. E po kjo, edhe sfida e Kishës; të jetë nënë pjellore, të lindë fëmijë në fe”.

Feja duhet transmetuar me përkëdheli

Papa Bergoglio ngul këmbë mbi transmetimin e fesë përmes breznive, nga gjyshja, tek nëna, në një atmosferë përplot me aromën e dashurisë. Besojma jonë shtegton jo vetëm me fjalë, por edhe me “ledhatime”, me “dhembshuri” e sidomos “në dialekt”. Papa nuk i harron as kujdestaret shtëpiake, që janë si nëna të dyta. Të huaja a vendase, janë gjithnjë më të shumta e gjithnjë e transmetojnë fenë me dashuri, duke ndihmuar ndjeshëm në lartimin shpirtëror të fëmijëve, për të cilët kujdesen.

Kisha rrit, përmes tërheqjes  

Mund të themi, pra, se sjellja e parë në përçimin e fesë është, sigurisht, dashuria; ndërsa e dyta, dëshmia.

“Të transmetosh fenë nuk do të thotë të bësh prozelitizëm, është gjë krejt tjetër, diçka shumë më e madhe. Nuk është të kërkosh njerëz, që e mbështesin këtë skuadër futbolli, këtë klub, këtë qendër kulturore; kjo është punë e mirë, por për fenë nuk bën fare. Fesë nuk i duhet prozelitizmi. E ka thënë mirë Benedikti XVI: “Kisha rritet jo përmes prozelitizmit, por përmes forcës tërheqëse”. Feja transmetohet, por përmes tërheqjes, përmes dëshmisë".

Dëshmia zgjon kureshtje

Transmetimi në jetë ditë për ditë i asaj, në të cilën besojmë, na bën të drejtë para syve të Zotit, duke zgjuar kuriozitet në të gjithë ata, që na rrethojnë.
“E dëshmia shkakton kureshtje në zemrën e tjetrit, e këtë kureshtje e merr Shpirti Shenjt dhe punon me të në shpirtin njerëzor. Kisha beson përmes tërheqjes, rritet përmes tërheqjes. E transmetimi i fesë jepet me dëshmi, deri në martirizim. Përkimi i fjalës që themi, me jetën që jetojmë, nuk mund të mos ngjallë kuriozitet. E të mos lindë pyetja: “Po pse jeton kështu ky njeri?”. “Pse e shkrin jetën në shërbim të të tjerëve?”. “Ç’e shtyn?”. “Çka fiton?”. E pikërisht ky kuriozitet është fara  që e merr Shpirti Shenjt, e mbjell dhe e bën të japë fryt. E transmetimi i fesë na bën të drejtë, na shfajson. Feja na shfajson e në transmetimin e saj ne ia japim edhe të tjerëve drejtësinë e vërtetë”.   

03/05/2018 12:20