Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa Françesku: nuk mund të bashkohesh me Krishtin duke vënë kushte

Papa në audiencën e përgjithshme - AP

02/05/2018 13:13

Për t’i përngjarë me të vërtetë Birit të Zotit, duhet të shkëputemi nga disa lidhje! Duhet t’i këpusim urat, duke i lënë pas shpine, për të nisur Udhën e re, që është Krishti”. Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa Françesku u ndalua  edhe një herë tek domethënia e Pagëzimit, si “ burim jete”.

Burim i jetës e i mirëqenies

Uji, mbi të cilin i bëjmë thirrje pushtetit të Shpirtit Shenjt të ketë forcën për të rilindur e për të përtërirë, është burim jete! Kur mungon, shuhet çdo  fekonditet.  Uji mund të jetë burim jete, por edhe shkak vdekjeje, kur të thith në gjeratoret e valëve të veta. Ka aftësi të mbysë e aftësi të lajë, të dlirë, të pastrojë. Pikërisht duke u nisur nga ky simbolizëm natyror - saktësoi Papa - Bibla përshkruan ndërhyrjet dhe premtimet e Zotit, përmes shenjës së ujit. E Kisha lutet për veprimin e Shpirtit Shenjt mbi ujë, në mënyrë që kush e merr në të Pagëzimin, të varroset bashkë me Krishtin në vdekje e me Të edhe të ringjallet për jetën e pamort.

Djalli ndan, Zoti bashkon, gjithnjë  

Për ta pranuar Pagëzimin, pas “shenjtërimit në ujin e burimit”, duhet gatitur zemra. E kjo - sqaroi Papa Bergoglio -  bëhet duke i rënë mohit Shejtanit, “Atij” , që përçan, ndërsa Zoti e unifikon gjithmonë bashkësinë, i bashkon njerëzit, duke krijuar prej tyre një popull të vetëm. Prej këndej, duhet theksuar se nuk është e mundur të bashkohesh me Krishtin, duke vënë kushte; duhet t’i këputësh ca lidhje, që të mund t’i përqafosh me zemër të pastër të tjerët. Rrugë të mesme nuk mund të ketë! O ndjehesh mirë me Zotin, o me Shejtanin! Prandaj mohimi i djallit dhe akti i fesë shkojnë krah për krah. “Djalli përçan. Zoti i bashkon njerëzit në një popull të vetëm”.

Shpirti Shenjt na jep forcë për ta fituar luftën e mirë

Akti i fesë “nënkupton një angazhim, që vetë Pagëzimi do të ndihmojë të mbahet me ngulm, në situata e prova të ndryshme të jetës”. Jeta është luftë - kujtoi Papa -  e prania e Shpirtit Shenjt na jep forcë për të luftuar mirë e për të fituar. Ja,pra, pse, duke hyrë në një kishë e duke e prekur ujin e bekuar, duhet të mendojmë me gëzim e mirënjohje për Pagëzimin, që kemi pasur fatin ta marrim një ditë! Duke përsëritur atë “Amen”, që u shqiptua kur u pastruam me ujin e Pagëzimit, për të mundur, kështu, të jetojmë të zhytur në dashurinë e së Shenjtnueshmes Trini. Mos e harroni kurrë - ngulmoi Papa gjatë përshëndetjeve në gjuhën arabe - se Kisha beson në heqjen dorë nga mëkati e nga joshjet e së keqes. Nuk është fjala për veprime të çastit, por për sjellje, që e shoqërojnë gjithë rritjen dhe pjekurinë e jetës së krishterë.

Ambasada lëvizëse e Karitasit të të rinjve

Në përshëndetjet në gjuhën polake, Papa iu drejtua posaçërisht delegacionit të Karitasit polak, së bashku me disa të rinj nga Siria, ardhur në Romë me një autobus të posaçëm, të quajtur “Ambasada lëvizëse e Karitasit të të Rinjve”. Nisma synon të sensibilizojë shoqërinë për problemet e më të varfërve, duke promovuar vullnetariatin e të rinjve dhe ndihmën e viktimave të persekutimit në Siri.

02/05/2018 13:13