2018-05-01 07:30:00

Shën Jozefi, fati i Marisë dhe mbrojtësi i Jezusit


Shën Jozefi, fati i Marisë dhe mbrojtësi i Jezusit. Ka qenë me prejardhje të mbretërisë së Davidit, me profesion zdrukthëtar. Shën Mateu, apostull dhe ungjilltar, thotë për të se ka qenë i drejtë, që domethënë i virtytshëm dhe burri i shenjtë. Ka qenë i habitur kur e ka parë se Maria është shtatzënë, pa e ditur se si kishte ndodhur kjo. Ka qenë i sigurt se është grua e ndershme dhe për t`iu ikur thashethemeve dhe të gjitha gjërave negative që do të vijonin, ka vendosur ta lëshojë fshehurazi.

E pra kur engjëlli i Zotit e mësoi se ajo ka mbetë shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt, e pranoi pa frikë planin e Zotit. Me Marinë shkoi në Betlehem për tu regjistruar dhe atëherë lindi Jezusi. Pastaj ka ikur në Egjipt me kërcënimin e Herodit se ka për ta vrarë Jezusin. Ka shtegtuar me Jezusin dymbëdhjetë vjeçar dhe me Marinë prej Nazaretit vendit të lindjes në Jerusalem dhe me brengosje e ka kërkuar Jezusin, që kishte mbetur me popull. Për jetën e mëvonshme dhe kur ka vdekur nuk dimë asgjë.

Nderim i Shën Jozefit ka filluar rreth vitit 850 në Rajenau (Reichenau), më vonë veçanërisht e kanë nxitur Shën Bernardi Klarvu-i (Clairvaux), Shën Tereza e Avilës, Shën Françesk Salesi, Gjon Gersoni, françeskanët dhe papa Siksti IV, i cili e ka futur festën e Shën Jozefit të obligueshme për tërë Kishën.

Në popuj të ndryshëm në mënyra të ndryshme nderohet Shën Jozefi. Ai është pajtor i të sëmurëve dhe atyre që janë në fill të vdekjes dhe është shembull i jetës familjare dhe tregon se si duhet shërbyer Jezusit, shpëtimtarit të njeriut.

Edhe në Besëlidhjen e Re  të Biblës Jozefi mbetet disi gjithmonë në prapavijë – nuk bie shumë në sy: asnjë fjalë nuk është mbartur më vonë për të. Duket sikur ka mbetur pa gojë kur e dëgjon Zotin në ëndërr dhe lejon të udhëhiqet prej tij. Edhe kur e sjellin Jezusin e vogël në tempull, flet vetëm Maria (Lk 2, 41-51). Edhe për vdekjen e tij nuk flitet asgjë, Jozefi thjesht largohet prej skenës.

Si Kisha ortodokse ashtu edhe ajo katolike e nderojnë Jozefin si shenjtë. Në kishën e lindjes fillon kulti i Jozefit shumë herët. Për herë të parë përmendet në një martirologji të perëndimit vetëm rreth vitit 850.

19 marsi ka qenë prej shekullit 10 dita e kujtimit të tij – qëllimisht i vendosur, për ta zëvendësuar festën e Minervës, perëndeshës romake të punëtorëve. Prej vitit 1621 është festë në kalendarin romak. Kulti i Jozefit përhapet prej shekullit 14 veçanërisht prej rregulltarëve.

Papa Klementi X me 1670 e ngrit ditën e Shën Jozefit në ditë feste. Me 1714 e pasuron papa Klementi XI (shqiptar) festën me një formular të veçantë të meshës dhe shërbesë të fjalës; Papa Benedikti XIII e fut emrin e Jozefit në litanitë e gjithë shenjtërve.

Papa Piu IX e emëron Jozefin në vitin 1870 për pajtor të krejt Kishës Katolike, kurse Papa Piu XI e emëron në vitin 1937 për pajtor të të gjithë atyre që e luftojnë komunizmin. Festa e Shën Jozefit punëtor, u vendos nga papa Piu XII në vitin 1955 si ditë përkujtim, që Jozefin duhej lidhur me ditën e punës me 1 maj.

Edhe sot emri Jozef është i përhapur në mbarë botën me qindra variante nacionale (në shqip: Zef, Jozef ... në gjermanisht: Joseph, Sepp, Jupp, Beppo, Joop ose Joschka; kroatisht: Josip, Joska etj., italisht: Giuseppe ... etj.). Sot ekzistojnë shumë famulli kishtare dhe popuj që e nderojnë si pajtorin e tyre qiellor.

Edhe pse Jozefi nuk mund të barazohet me Marinë, Nënën e Zotit, që është Hirëplote, pikërisht përvujtëria dhe besnikëria e tij, e bëjnë një shenjtë të madh, që dita ditës është zbuluar. Një është e sigurt: roli i tij në historinë e shëlbimit është i pazëvendësueshëm.

Veçantia e Virgjërës Mari, Zojës së Bekuar qëndron me mishërimin e Birit të Zotit në kraharorin e saj duke u bërë kështu “Nëna e Hyjit”, që lind Shëlbuesin. Kështu vepra e Marisë është ngjarje qendrore në historinë e shëlbimit.

Shkrimi Shenjt - Bibla e paraqet Marinë si Grua (Eva e dytë dhe nëna e të shëlbuarve), ajo qëndron me krejt qenien e saj deri në “orën” e shpërblimit (nën kryq) me shenjtërinë e saj merr pozitën qendrore në historinë e shëlbimit. Në rastin e saj Kisha katolike e sheh rastin absolut, radikal të shëlbimit të njeriut, si e shëlbuar në mënyrë të përsosur dhe për këtë arsye si prototip i njeriut të shëlbuar dhe të Kishës në përgjithësi. Para se të lindë Shëlbuesi Zoti e përgatiti “vendin” për të “zbritur”. Ky “vend” i zgjedhur prej Zotit ishte Maria e lindur pa mëkat të rrjedhshëm. Edhe pse anëtare e njerëzimit, edhe ajo i pësoi pasojat e mëkatit të njerëzimit, për shkak të meritave të parapara të Zotit qe ngjizë pa mëkat të rrjedhshëm. Ajo ishte hirëplote. Ajo për këtë arsye ka qenë gjithmonë e pa mëkat.

Dinjiteti i Marisë ka qenë i pazbuluar në fillim për popullin, falë martesës legjitime me Jozefin sipas ligjeve dhe adeteve hebraike. Maria e jeton jetën religjioze në format që i praktikonte populli. Ajo e përcjell Jezusin deri në vdekje. Meqenëse si nënë dhe si e zgjedhur e Zotit nuk mund të dyshohet se ka vdekur me një përsosmëri të vërtetë të ekzistencës së saj tokësore, me fatin e të gjithë njerëzve duke e ndjekur të birin e vet edhe në vdekje.

Ajo në ungjillin sipas Lukës thotë “që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur” (Lk 1,48), sepse e frymëzuar me Shpirtin Shenjt sheh se me çmimin e veprës së Zotit në të po ndodh në mënyrë të papërsërithsme çmimi i një madhështie gjithëpërfshirëse që Zoti ndonjëherë e ka bërë me njerëzimin. Si Nënë e Hyjit i kushtohet nderimi i veçantë fetar, që nuk ka kurrfarë lidhje me adhurim.

Hiri i shenjtë që i është dhënë prej Hyjit Zojës së Bekuar, i njëjti hir ndikon në zemrat e të gjithë besimtarëve








All the contents on this site are copyrighted ©.