2018-04-30 09:00:00

Takimi i Barit dhe e ardhmja e të krishterëve në Lindje


“Dita e reflektimit dhe e lutjes”, që më 7 korrikun e ardhshëm do të mbledhë në Bari të Italisë Papën Françesku me krerët e Kishave e të bashkësive të krishtera të Lindjes së Mesme, nuk ka precedentë në historinë e ekumenizmit. Për herë të parë, Ipeshkvi i Romës - “Patriarku i Perëndimit”, siç quhej Ati i Shenjtë deri në vitin 2006, kur ai titull u hoq nga Benedikti XVI – organizon një takim lutjeje, në të cilin, idealisht, janë të thirrur të gjithë Patriarkët dhe krerët e Kishave të Lindjes, që, në kohë të ndryshme, duke filluar nga Koncili i Efesit (viti 431 pas Krishtit), kanë përjetuar prishjen e bashkimit të plotë me Kishën e Romës.

Edhe Papët e mëparshëm, duke filluar nga shën Gjon Pali II, kanë organizuar shpesh takime ndërfetare dhe ekumenike për t’i kërkuar Zotit dhuratën e paqes. Për herë të parë, Papa Françesku thërret në lutje veçanërisht krerët e Kishave të Lindjes së Mesme. Ditë tjetër e ngjashme me këtë mund të konsiderohet ajo e Gjon Palit II, pas Luftës I të Gjirit Persik, kur shenjti i ardhshëm u takua në Romë me përfaqësuesit e episkopateve të vendeve të përfshira në konflikt. Por, në atë rast, morën pjesë vetëm katolikët.

Bashkimi i të krishterëve në ngjarjet e historisë

Udha e Kishës së Romës dhe e Kishës së Lindjes për t’u njohur si motra të njëra-tjetrës ka gjithnjë në horizont ribashkimin e mundshëm sakramentor. Shpresë, që nxit për shkurtimin e distancave teologjike e doktrinore, por që ushqehet edhe nga shqetësimi i përbashkët për të krishterët e Lindjes së Mesme dhe për të ardhmen e pasigurtë të tyre, në tokat ku predikuan apostujt e Krishtit. Kështu, takimi i Barit merr edhe natyrë “gjeopolitike”, qoftë edhe për faktin se në korin, nganjëherë kaotik e kontradiktor të ndërhyrjeve publike të krerëve të Kishave të Lindjes, kohët e fundit, po mbizotërojnë gjithnjë e më shumë zëra kritike ndaj politikave perëndimore.

Pikërisht konfliktet dhe problemet e këtyre viteve kanë vënë në pah thesaret e fesë të të krishterëve në Lindjen e Mesme, por edhe brishtësitë e brendshme e dobësitë e shumë aparateve kishtare të rrënjosura në ato toka. Takimi i ardhshëm i Barit mund të jetë rast për të përballuar, me guxim apostolik, të gjithë faktorët, që e dobësojnë “nga brenda” praninë e krishterë në Lindjen e Mesme. Duke e lënë mënjanë “iluzionin” se për të mbajtur në këmbë bashkësi me histori mijëvjeçare mjafton grumbullimi i fondeve për to në Perëndim, ose ndihma e jashtme nga ndonjë “mbrojtës i fuqishëm i të krishterëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.