2018-04-30 12:59:00

Pakistan: të krishterët luten për viktimat e intolerancës fetare


“Të lutemi për paqen dhe për të gjitha viktimat e intolerancës fetare”- kjo ftesa  e Kishës në Pakistan, ku po bëhen gjithnjë më alarmante episodet e shumta të dhunës kundër të krishterëve.

Episode të intolerancës fetare

Muajt e fundit - kujton përmes një note, dërguar agjencisë Fides, kryeipeshkvi Joseph Arshad, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike në Pakistan dhe i Komisionit kombëtar “Drejtësi e paqe” -  vërejmë se po shtohen në mënyrë alarmante episodet e dhunshme të intolerancës dhe të ekstremizmit në vendin tonë. Ndërmjet tyre, po kujtojmë sulmet vrasëse në Bethel Memorial Methodist Church, në Quetta, trajtimin çnjerëzor të Patras e Sajid Masih, vrasjen brutale të Suneel Masih në spitalin e Lahorës e edhe vrasje të tjera të të krishterëve, ndërmjet të cilave, djegia me acid e Asma Yaqoob, vajzë e krishterë, që nuk pranoi të martohej me një burrë mysliman.

Thirrje qeverisë për t’i dhënë fund dhunës

“Kisha katolike është thellësisht e shqetësuar nga kjo valë e re dhune,  që po godet pakicat për shkak të fesë së tyre. Këto sulme kundër pakicave janë të palejueshme: shteti duhet ta rishikojë seriozisht planin e veprimit kombëtar, për ta përballuar çështjen e ekstremizmit e të terrorizmit në vend”“- dekaron për Fides, imzot Arshad.

Në një komunikatë të “Komisionit Drejtësi e  Paqe", prelati i kërkon qeverisë ta përballojë sa më shpejt këtë valë intolerance në shoqëri, t’i mbrojë të drejtat e pakicave e, sidomos, të grave në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.