2018-04-29 15:20:00

Papa Françesku lutet për paqen ndërmjet dy Koreve


Pas samitit ndërmjet dy Koreve, të premten e kaluar, Papa uroi të vijojë dialogu i sinqertë, pa armë bërthamore.

“E shoqëroj me lutje rezultatin pozitiv të samitit ndër-korean të së premtes së kaluar dhe angazhimin e guximshëm, që morën Liderët e të dyja palëve për të ecur në rrugën e dialogut të sinqertë, për një gadishull korean të lirë e pa armë. bërthamore. I lutem Zotit që shpresat për ardhmërinë me paqe e miqësi më vëllazërore, të mos pësojnë zhgënjime e që bashkëpunimi të vijojë, duke sjellë fryte të së mirës për popullin e dashur korean dhe për botën mbarë”.

Ky, urimi e edhe lutja e Papës Françesku. Shoqëruar me duartrokitjet e stuhishme të besimtarëve, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar, si zakonisht, në mesditë. Pas takimit historik të presidentëve të dy Koreve, të premten, në fshatin kufitar Panmunjom, lind optimizmi për një ardhmëri me paqe ndërmjet dy vendeve, formalisht akoma në luftë, që nga vitit 1950.

Mbyllet brenda majit baza e provave bërthamore

Siç njoftoi përmes shtypit zëdhënësi i presidentit jugkorean, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un premtoi ta mbyllë, majin e ardhshëm, bazën e provave bërthamore të Punggye-ri, ku gjatë dhjetë vjetëve të fundit u kryen gjashtë eksperimente atomike verikoreane. Mbyllja e bazës do të bëhet në formë publike, në praninë e specialistëve amerikanë e jugkoreanë të sigurimit si dhe të gazetarëve.

Jo, armëve bërthamore e paqe me SHBA-të

Pikërisht për SHBA-të, që këto ditë po punojnë për të caktuar datën dhe vendin  për takimin e rangut të lartë me Korenë e Veriut, Kim Jong-un ripohoi se vijon të jetë, për natyrë, kundërshtar i tyre, por edhe se nuk është ai soj njeriu që lëshon raketa bërthamore kundër Koresë së Jugut, Paqësorit ose SHBA-ve”. Synimi është “të mos përsëritet historia e dhimbshme e Luftës së Koresë” dhe “të hiqet dorë nga armët bërthamore”. “Pse u dashka të mbaj armë bërthamore e të jetoj në kushte të vështira, nëse mund të takohemi shpesh me amerikanët për të krijuar besim reciprok, në qoftë se premtojnë se do t’i japin fund luftës e edhe se nuk e kanë ndër mend të na pushtojnë?” – tha lideri i Pyongyang-ut.

Uniformohet ora

Ndërmjet masave të tjera, që do të merren, është edhe ajo e uniformimit të orës ndërmjet dy Koreve. Shpresohet që Veriu e Jugu t’i jetojnë ngjarjet e ditës - e të viteve - me të njëjtën orë. As një çast para - a pas njëri-tjetrit!








All the contents on this site are copyrighted ©.