2018-04-29 12:30:00

Papa, në Mbretëreshën Qiellore, hardhia e shermendët shprehin lidhjen e Zotit me popullin e vet


Papa Françesku, në Mbretëreshën Qiellore, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, kujtoi se hardhia e shermendët shprehin lidhjen e Zotit me popullin e vet. U rikthye tek shëmbëlltyra ungjillore e hardhisë dhe e shermendëve Papa Françesku, në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore, për të shprehur lidhjen e ngushtë të Zotit me popullin e vet, që vijon në rrjedhë të historisë, sot, kur kremtohet dita për mbështetjen e Kishës katolike. Në shëmbëlltyrë theksohet shumë herë fjala “të mbetesh”, “të rrish”. Po të mbetemi në Krishtin, japim shumë fryt, të shkëputur prej Tij, jemi si shermend të vjetëruar, të thatë, shterpë, që nuk vlejnë për tjetër, veçse për t’u djegur!

Të mbetemi lidhur me Krishtin, hardhia e vërtetë

Të mbetemi lidhur me Krishtin, hardhia e vërtetë! Kjo, ftesa e Papës, në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore, në përkim me liturgjinë, e cila na fton të reflektojmë për simbolikën e shëmbëlltyrës së hardhisë e shermendëve. Është themelore të rrish gjithnjë i bashkuar me Krishtin, për të marrë prej Tij limfën jetike, pa të cilën nuk mund të ketë fryte, as jetë. Pa bashkimin e plotë me Krishtin, nuk mund të prodhojmë asnjë të mirë. E nuk vlejmë as për të ndezur zjarrin në mes të ngricave të kohës! Ndonëse ky bashkim mund të na kushtojë izolimin, mund të na rrethojë me mosbesimin e atyre, që nuk e njohin Zotin. Si ndodhi me Shën Palin, që u përjashtua nga bashkësia e Jeruzalemit. Por më në fund e gjeti vendin e vet në një bashkësi, që e pranoi si një nga ungjillëzuesit më guximtarë. Zoti nuk i lë kurrë pa vend kumtarët e Ungjillit!

Duke lexuar Ungjillin e Shën Gjonit

Shën Gjoni, në Leximin II, nënvizon: – e Papa na i rikujtoi në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, fjalët e Jezusit, sipas të cilave: “Vetëm shermendi, që rri i bashkuar me hardhinë, lulëzon e jep fryte. Vetëm besimtari, që rri i bashkuar me Krishtin, sjell fryte shenjtërie, hiri, jete shpirtërore e angazhimi për ungjillëzimin.

Shën Marku Ungjilltar na fton

Jezusi është i Biri i Zotit – pohon Shën Marku. E, përmes fjalëve të Papës Françesku gjatë lutjes së sotme të Mbretëreshës qiellore, na fton ta shpallim me fe, me fjalët e Centurionit romak te këmbët e kryqit: “Me të vërtetë ky njeri ishte i biri i Zotit!”.

Fjalët e Shën Mateut, në gojën e Pjetrit

E Shën Mateu vë në gojën e Pjetrit, besojmën e fesë, e cila vijon të jehojë edhe sot e kësaj dite në korin madhështor që ngrihet nga mijëra bazilika, katedrale, kisha, kapela çdo të dielë e çdo ditë nga bashkësia e krishterë: “Ti je Krishti, Biri i Zotit të gjallë!”. E vetë goja e Zotit na siguron se "Krishti është Biri i tij, i dashuri”.

Kjo, thënë me pak fjalë, atmosfera e Meshës të së dielës e edhe e lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar nga Papa me besimtarët e shumtë në Sheshin e Shën Pjetrit: shermendë, të lidhur fort me hardhinë!








All the contents on this site are copyrighted ©.