2018-04-28 08:00:00

Papa Françesku me Dominique Wolton. “Zoti është Poet. Dialog mbi politikën e shoqërinë”


Doli në libraritë, që nga 24 prilli, libri-intervistë “Zoti është Poet”: dialog i panjohur i Papës Françesku, me Dominique Wolton, mbi politikën edhe shoqërinë. Sociologu francez është Drejtor i kërkimeve shkencore në   CNRS (Qendra Kombëtare e Kërkimeve) për shkencat e komunikimit. Në studimet e tij, vlerëson konceptin e komunikimit, që privilegjon më shumë njeriun dhe demokracinë, sesa teknikën dhe ekonominë. Wolton u prit dymbëdhjetë herë nga Papa.

Rezultat i këtyre takimeve është intervista, në të cilën Françesku prek temat kryesore të kohës sonë e të papnisë së tij: temën e paqes e të luftës, të politikës me P të madhe (parë si një nga format e bamirësisë) e të globalizimit; të larmisë kulturore, të fundamentalizmit, “laicitetit të drejtë”, pabarazive ekonomike e, sidomos, të mungesës së punës. Flitet edhe rreth perspektivave për të rinjtë, “marrëzisë” së sundimit absolut të perëndisë para e nevojës së një ekonomie “konkrete”, të përqendruar mbi mirëqenien e njerëzve; pa harruar Evropën, emigrantët, mbrojtjen e ambientit, dialogun ndërmjet të krishterëve, ndërmjet feve, ndërmjet ateistëve e besimtarëve…Po kujtojmë sot një fragment nga vepra:

“Qershor 2016. Koha u përmirësua dukshëm. Në Romë erdhi pranvera, me dritën e saj, me ngrohtësinë. Atmosfera është tjetër, po vendi, i njëjtë.  Papa Françesku vjen me të njëjtën thjeshtësi, si herën e parë. Pa shoqërues. I përvishemi menjëherë punës. Temat qëndrore janë rikthimi i feve, laiciteti e fundamentalizmi. Dialogu ynë, që vijon plot gjallëri, pa kurrfarë nguti, më krijon përshtypjen se kemi gjithë kohën e kësaj bote... Gjithçka është krejt e qetë.

Në kontrast të fortë me gumëzhitjen e zërave në Sheshin e Shën Pjetrit. Tremja është plot me njerëz, e, natyrisht, edhe me zhurmë. E unë e intervistoj Atin e Shenjtë vetëm pak metra larg turmës potermadhe, në një atmosferë paqeje e mirëbesimi. Merremi me argumente të rëndësishme. Me paradokset e çuditshme të çorientimit të përkohshëm e të përvojës së kohës. Në përfundim dal. E ec në heshtje. Kokën e kam plot me fjalët e tij. Me lirinë e madhe! Pa kurrfarë protokolli…

I mendoj e i shmendoj fjalët, që shkëmbeva me Françeskun: “Po, të dialogosh, të shumëfishoh urat e të shembësh muret është, ndoshta, një nga sfidat më të mëdha të kësaj bote, sot fare e vogël, falë suksesit të teknologjive të komunikimit. Gjë që nuk mund ta themi për respektimin e larmive kulturore, gjuhëve e vizioneve për botën. Një botë ‘transparente’, që mund të jetë po aq e dhunshme, në mos më shumë, se bota e djeshme!”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.