2018-04-27 14:48:00

Takimi ndërmjet dy Koreve. Marrëveshje paqeje brenda 2018-ës


Marrëveshje për paqen brenda vitit 2018 dhe impenjim për çarmatosjen bërthamore të gadishullit korean. Ky është rezultati shpresëdhënës i takimit historik ndërmjet liderëve të dy Koreve, presidentit koreanojugor Moon Jae-in dhe kreut koreanoverior Kim Jong-un, në kufirin ndërmjet dy shteteve, në fshatin Panmunjom.

Nënshkruhet një dokument i përbashkët për paqen

“Jugu dhe Veriu konfirmuan sot objektivin e tyre të përbashkët për të realizuar një gadishull korean të lirë nga armët bërthamore”, lexohet në deklaratën e të dy krerëve të shtetit, të cilët u impenjuan edhe të zvogëlojnë arsenalin konvencional, për të mbështetur uljen e tensionit ushtarak e për të forcuar paqen në krejt gadishullin.

Dy Koretë, pra, do ta shndërrojnë brenda vitit në traktat paqeje, armëpushimin e nënshkruar që në vitin 1953. Në dokumentin e përbashkët njoftohet edhe për vizitën e presidentit të Koresë së Jugut në Piong-jang, në vjeshtë, pa caktuar akoma ndonjë datë. Ndërmjet dy liderëve do të ketë takime e telefonata të rregullta, pas hapjes së një linje të rezervuar, që deri tani nuk ekzistonte.

Kim Jong-un: jemi të një gjaku

Pasi kishte shkruar në Librin e Miqve të Shtëpisë së Paqes (Peace House), ndërtesës ku u mbajt takimi, fjalët “Një histori e re fillon tani”, Kim Jong-un vendosi firmën e vet në deklaratë dhe lexoi një mesazh, në të cilin thuhet se ky është çast historik i shumëpritur, me të cilin e kemi kuptuar se “jemi një komb… jemi një gjak e se bashkatdhetarët nuk mund të jetojnë të ndarë”. Shenjë e paqes së rigjetur qe edhe pisha, që mbollën së bashku në kufi, si edhe guri me emrat e dy liderëve e me frazën “këtu mbjellim paqe e begati”.

Ipeshkvijtë: "Sikur pranvera të vinte pas një dimri të gjatë"

"Takimi i sotëm i nivelit të lartë veri-jug, që u mbajt në në Panmunjom, i jep fund një konflikti të gjatë e do të bëhet gur themel e një moment historik për paqen në gadishullin Korean. Është një ngjarje historike që tërheq vëmendjen e të gjithë botës dhe do të jetë një pikë vendimtare kthese për pajtimin Veri-Jug dhe për paqen në botë ". Këto fjalë gëzimi dhe emocioni u shprehen ipeshkvijtë koreanë, duke komentuar imazhet e takimit historik.
"Një ngjarje historike". "Një gur themel e moment historik për paqen". Kisha katolike koreane, ashtu si mbarë populli i atij gadishulli të vogël, po feston hapin e parë që premton një të ardhshme në paqe e vëllazërim.








All the contents on this site are copyrighted ©.