2018-04-27 14:01:00

Nigeri: imzot Kaigama, dhimbja e Papës për vrasjen e meshtarëve dhe besimtarëve


Këto ditë ipeshkvijtë e Nigerisë janë në Vatikan për vizitë ad Limina. Dje Papa Françesku vizitoi grupin e parë të prelatëve. Ndërkaq në vendin afrikan mbetet tejet i lartë tensioni, pas sulmit në famullinë e Shën Injacit në Ukpor-Mbalom, që i kushtoi jetën 18 vetëve, ndërmjet të cilëve, dy meshtarë. Imzot Avenia kujton: “Këshu nisi edhe me Rwandën”.

Për situatën në Nigeri dhe ngjarjen tragjike të kohëve të fundit, folëm hollësisht në emisionet e kaluara, duke i treguar me gisht shkaktarët e kësaj gjendjeje, bandat e barinjve të etnisë fulani, grup i mirëfilltë terrorist, që beson se misioni i tij është ta përhapë islamin deri në brigjet e oqeanit. “Besojmë se ka bashkëpunim ndërmjet Boko Haram dhe barinjve fulani, që fajësohen edhe për vrasjen e fundit - pohon imzot Ignatius Ayau Kaigama, kryeipeshkëv i Jos - pikërisht në këto çaste, kur  flitet për sulme të reja.

Audienca tek Papa

Më pas, duke u ndaluar tek takimi me Papën, imzot Ignatius, pak kohë më parë kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Nigerisë, detyrë që sot e kryen kryeipeshkvi Augustine Obiora Akubeze, pohon: “Ishte takim vëllazëror. Së pari Papa i bëri ngushëllimet ipeshkvit të Makurdit - të cilit i përket kisha e sulmuar të martën e kaluar. Dukej qartë se e njihte mirë situatën. E se ndjente keqardhje të thellë për vrasjen e njerëzve të pafajshëm, që po luteshin, ndërmjet të cilëve, edhe dy meshtarët. E kjo është shumë e rëndë”. 

Rreziku i një Rwande të re

Në këto orë shumëkush druhet se Nigeria rrezikon të shndërrohet në një Rwandë të re. “Ka shumë mundësi” - pohon edhe prelati nigerian. - Nëse autoritetet dhe agjencitë e sigurimit nuk bëjnë atë, që duhet bërë, pak nga pak njerëzit do të zemërohen tepër duke parë si u vriten vëllezërit dhe prindërit. E kjo mund të shkaktojë një reagim tejet të dhunshëm”.

Ftesa drejtuar Papës për të vizituar Nigerinë

Edhe për këtë - përfundon kryeipeshkvi i Jos - e ftuam Papën të vijë tek ne. Prania e tij në Nigeri mund të shkaktojë një revolucion të vërtetë shpirtëror.








All the contents on this site are copyrighted ©.