2018-04-26 14:33:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Jozuehut


Libri i parë biblik pas Pesëlibërshit (Pentateuku) është ai i Jozuehut. Në Biblën hebraike të gjitha librat, që shkojnë nga Jozuehu tek Malakia, konsiderohen “profetikë”, ndërsa për ne të krishterët, librat nga Jozuehu deri tek Isaia janë thjesht “historikë”. Sot do të flasim për librin e parë të këtij grupi, pra, për Jozuehun, gjithnjë, duke iu referuar meshtarit italian, Federico Tartaglia dhe vëllimit të tij, “Është ora e leximit të Biblës”.

         Moisiu tashmë ka vdekur e i takon Jozuehut të udhëheqë popullin hebraik në Tokën e Premtuar. Së bashku me Kalebin, ai është i vetmi nga brezi i dalë prej Egjiptit, që hyn në tokën e Kanaanit. Jozuehu është ushtarak i madh, por nuk i ka cilësitë e prijësit, që i kishte Moisiu. Megjithatë, ai do t’i prijë popullit dhe do ta çojë arkën e besëlidhjes përtej lumit Jordan, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë.

         Jemi para një libri, që tregon për luftë, të cilën mund ta quajmë edhe “luftë të shenjtë”, pasi nga njëra anë kemi Jozuehun me popullin e ushtrinë e tij, ndërsa, nga ana tjetër, mbretëritë e qytetet, që duhen pushtuar. Gjejmë fjalë, që mund të na shqetësojnë thellë:

         “Zoti flaku mbi ta gurë të mëdhenj prej qiellit deri në Azekë dhe mbetën të vrarë shumë, më shumë prej breshrit të gurëve se prej shpatës së bijve të Izraelit” (Jz 10,11).

         Nëse ka ndonjë libër, që mund të na ndihmojë ta përballojmë temën e vështirë të luftës, është pikërisht ky i Jozuehut. Episodi më i famshëm është, pa dyshim, fitorja e izraelitëve mbi qytetin e Jerikos, ku siç thuhet në librin biblik, muret ranë krejtësisht nën tingujt e borive të priftërinjve. Pas fitores vijon shfarosja e gjithçkaje gjendet në qytet: burra e gra, të rinj e pleq, lopë, dele e çdo lloj kafshe. Shkohen në teh të shpatës 12 mijë vetë, tregohet në librin e Jozuehut.

         Të vjen e natyrshme të bësh pyetjen: “A është e vërtetë se i dha Zoti këto urdhëra? Apo qenë Moisiu më parë e Jozuehu më pas, që supozuan se ashtu donte Hyu, në përkim me zakonet luftarake të kohës?”. Përgjigjja arrihet pas leximit të librit, pasi kërkon një qëndrim personal, por edhe një udhëtim të nevojshëm në histori, për të parë sa herë është përdorur dhuna. Vetë Bibla është udhëtim përmes dhunës dhe mëkatit të njerëzve e, në atë udhëtim, Izraeli na transmeton besime, ligje, fjalë, që mund t’i gjejmë edhe ndër popujt paganë. Por ajo, që na shkandullon më shumë, është rruga që Izraeli duket se e bën përmes dritëhijeve të kësaj historie të dhunshme.

         Duket sikur është rrugë e orientuar, gati e drejtuar, ndoshta, më mirë, e frymëzuar, nëse për frymëzim nuk kuptojmë zbulimin e vullnetit të plotë të Tejetlartit, por rrezen e dritës, që mundohet të çajë retë e të shndrisë, ndonëse me mundim, bindje teologjike e zakone shoqërore, për ne, të errta. Gjithsesi, arrin ta çlirojë ndërgjegjen e individëve dhe të popujve dhe t’i projektojë ata drejt të vërtetave, që nuk janë më pre e mendësisë “njerëzore”. Duket sikur Shpirti Shenjt hyn me vështirësi në thelbin e në kuptimin e historisë!

         E atëherë, mund të themi se Zoti nuk ka urdhëruar kurrë drejtpërdrejt, asnjë shfarsoje. Kurrë! Një urdhër i tillë hyjnor ishte formulë e përgatitur për t’u dhënë autoritet ligjeve, që rregullonin jetën e një kombi teokratik. E megjithatë, në atë “luftë të shenjtë” për të pushtuar Jerikon, është feja në Zotin, që nënvizohet më shumë se gjithçka tjetër:

- Është arka e besëlidhjes, që e bën Izraelin të kalojë lumin Jordan.
- Janë boritë, që i bëjnë muret të shemben.
- Asgjë nga gjërat e fituara me luftë nuk mund të përdoret, sepse gjithçka i përket Zotit dhe lufta nuk u bë për lakmi.
- Vetëm prostituta “e padenjë” (Raab) shpëtohet nga shfarosja.

Pikërisht, duke eksperimentuar këtë fe në Zotin, Izraeli do ta kuptojë pak nga pak se Hyu nuk është Zoti i ushtrive, por Zoti i mëshirës, jo vetëm sepse e bën të fitojë luftra, por sepse e mbledh çdo popull rreth malit të tij të shenjtë. Libri i Jozuehut na mëson se në popullin, që lufton “për Zotin”, shkruhet historia e njerëzimit, që përpiqet të ikë nga dhuna e të gjejë një botëkuptim mbi Zotin e mbi njerëzit, shndritur nga paqja.








All the contents on this site are copyrighted ©.