2018-04-26 08:00:00

Urata e Papës Shën Gjon Palit II Zojës së Këshillit të Mirë


Urata e Papës Gjon Palit II Zojës së Këshillit të Mirë

O Zoja e Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Shqipërisë, ti Nëna jonë e Ëmbël!

Ty që në zemër të rrjedh gjaku i popullit tënd: ktheji sytë e tu mbi këtë komb i cili ka pasur fatin të marrë mësimin e parë të Ungjillit nga goja e Apostujve e që Ty të ka nderuar përherë me dashuri të pastër bijësore.

Edhe sot në errësirën e provës ky komb të drejtohet Ty plot shpresë e pret ndihmën tënde amnore.

Ti i prin Kishës në shtegtimin e fesë: hidhi sytë e tu mbi bijtë e bijat shqiptare të cilët janë duke udhëtuar të ngarkuar me prova e mundime.

Forco të ligshtit, ngushëllo të mjeruarit, mbaje të gjallë fenë në zemrën e të gjithëve!

Nënë e Shëlbuesit, bekoji familjet e krishtera të cilat përbëjnë thelbin e Kishës së Birit tënd hyjnor.

Nënë e shpresës, shpejtoje ditën në të cilën ky popull fisnik do të shikojë të realizuara edhe një herë të gjitha dëshirat e thella të shpirtit të tij, atëherë kur të gjithë, bij e bija, do të kenë mundësi të bashkohen në harmoni të plotë për të rindërtuar të ardhmen në drejtësi e në paqe! Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.