Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: pa dashuri e shërbim Kisha nuk shkon përpara

Homelia e Papës gjatë Meshës së mëngjesit

26/04/2018 12:19

Jezusi, me Eukaristinë, na mëson dashurinë; me larjen e këmbëve, shërbimin! E na kujton se shërbëtori nuk është kurrë më i madh se ai, që e dërgon, se zotëria.  Këto tri gjëra janë themeli i Kishës. Kështu u shpreh Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar Ungjillin  e ditës, në të cilin Gjoni  kujton fjalët e Jezusit pas larjes së këmbëve.

Dy gjeste, që janë dy institucione

Në Darkën e Mbrame Jezusi u jep lamtumirën dishepujve me një fjalim të gjatë e prekës, të cilin Gjoni e rikujton në Ungjillin e tij. E bën edhe dy gjeste, “që janë dy institucione. Dy gjeste për dishepujt e për Kishën e së ardhmes, themel i doktrinës së saj”. Jezusi e jep për ta ngrënë Korpin e tij. E për ta pirë, gjakun e tij. Domethënë, themelon Eukaristinë. E më pas u lan këmbët dishepujve. “Nga këto gjeste lindin dy urdhërime - shpjegoi Françesku - që do ta bëjnë të rritet Kishën, nëse ne jemi besnikë”.

Eukaristia dhe urdhërimi i dashurisë

 Urdhërimi i parë është ai i dashurisë: i afërmi duhet dashur jo më vetëm si vetvetja. Duhet  bërë një hap përpara. “i afërmi - urdhëron Zoti - duhet dashur, si ju desha unë vetë”.

“Dashuri pa kufij. Pa këtë, Kisha nuk mund të shkojë përpara! Kisha, pa këtë dashuri, mbetet pa frymë”.

Pa dashuri, nuk rritet, shndërrohet në institucion të zbrazët, që kujdeset vetëm  për dukjen, me gjeste pa fryt. Duke dhuruar korpin e vet, Jezusi na mëson si duhet  të duam, deri në fund të fundit.

Larja e këmbëve dhe shërbimi

Duajeni njëri-tjetrin, si ju desha unë! E pastaj, edhe urdhërimi i ri - sqaroi Françesku - që lind nga larja e këmbëve: “Shërbejini njëri-tjetrit!”. Lajani këmbët njëri-tjetrit, si jua lava unë ju! Dy urdhërime e një vërejtje: “Ju mund të shërbeni, por të dërguar nga unë, të dërguar nga unë. Ju nuk jeni më të mëdhenj se unë”. E, më pas, Jezusi sqaron: “Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria i tij, e as i dërguari, më i madh se ai, i cili e dërgoi”. E kjo është përvujtëri e thjeshtë dhe e vërtetë, jo “përvujtëri sa për sy e faqe”.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se Ai është më i madh nga ne të gjithë, e se ne jemi shërbëtorë e nuk mund ta tejkalojmë Jezusin, nuk mund ta përdorim Jezusin. Ai është Zot, ne jo! Ky është testamenti i Zotit. Na jepet për ta ngrënë e për ta pirë e na thotë. “Duajuni kështu!”. Lan këmbë, e na thotë: “Shërbejeni kështu njëri-tjetrin, por kini mendjen, shërbëtori nuk është kurrë më i madh, se ai, që e dërgon, se zotëria”. Janë fjalë e gjeste, të cilat lënë gjurmë: është themeli i Kishës. Nëse ne do të shkojmë përpara me këto tri gjëra, nuk do të gabojmë kurrë.

Kush dërgohet nuk është më i madh se ai, që  dërgon 

Kështu shkuan përpara martirët e shenjtorët - vijoi Papa: “Me vetëdijen se ishin shërbëtorë”. E pastaj Jezusi bën edhe një paralajmërim tjetër. “Unë i njoh, ata që i zgjodha”. E shton. “Por e di se njëri nga ju do të më tradhtojë”. Prej këndej, Papa Françesku përfundoi duke i këshilluar të gjithë, në një çast heshtjeje, ta lënë Zotin t’i shikojë:

“E të lë që shikimi i Jezusit të hyjë në mua. Do të ndjej shumë gjëra: do të ndjej dashuri, a ndoshta, nuk do të ndjej asgjë… do të bllokohem aty, do të ndjej vetëm turp. Po s’ka gjë! Ta lëmë  gjithnjë Jezusin të na i ngulë sytë. Ata sy, me të cilët i pa të tijtë në Darkën e Mbrame, atë natë…E t’i them: ‘Ti më njeh, o Zot! Ti di gjithçka’”.

Ta lëmë shikimin e Jezusit të hyjë në ne

T’i themi fjalët, që ia tha Pjetri në Tiberiade: “Ti më njeh, ti di gjithçka. E di se unë të dua, di gjithçka ka brenda zemrës sime”.

Dashuri deri në fund të fundit -  tha në përfundim Papa - e shërbim, duke përdorur një fjalë paksa ushtarake, por që na duhet: ‘nën vartësi’, domethënë, Ai është më i madh; unë, shërbëtor! “Askush nuk mund t’i kalojë përpara”.

26/04/2018 12:19