2018-04-26 13:34:00

Imzot George Frendo, “tani u bëtë shqiptar i vërtetë”


Me rastin e 25-vjetorit të vizitës historike të shën Gjon Palit II, papë, në Shqipëri dhe të shugurimit të katër ipeshkvijve të parë shqiptarë pas komunizmit, presidenti i Republikës, Ilir Meta i dorëzoi personalisht dekretin e firmosur të dhënies së shtetësisë kryeipeshkvit metropolitan të Tiranë-Durrësit, Imzot George Frendos. Me këto fjalë, njoftohet në rrjetet shoqërore të Kishës Katolike në Shqipëri, lajmi i mirë i ditës së djeshme, që e bën ipeshkvin domenikan me origjinë nga Malta edhe shqiptar. Dorëzimi i nënshtetësisë u bë gjatë meshës së kremtuar në katedralen e Shën Palit në Tiranë nga vetë kryetari aktual i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo.

Imzoti i sotëm erdhi në Shqipëri për të hapur një mision domenikanësh në vitin 1996, në Sukth të Durrësit. Atëherë ishte epror provincial i domenikanëve maltezë e hapja e misionit iu sugjerua nga eprori i përgjithshëm i Urdhërit, në vitin 1995. Imzot George Frendo u vendos në Shqipëri në korrik 1997 dhe pas dy vitesh, së bashku me imzot Rrok Mirditën shkoi në periferinë e Durrësit, për të përhapur fjalën e Zotit, për t’u shndërruar shumë shpejt në ‘bariun’ e ‘grigjës’ katolike, që kishte zbritur nga Mirdita.

20 vjetët në shërbim të shqiptarëve bënë që sot ata ta ndjejnë ipeshkvin pjesë të bashkësisë, anëtar të denjë të popullit, gjë që u nënvizua edhe në fjalën përshëndetëse të presidentit Meta në katedralen e Shën Palit në Tiranë. “Është nder e privilegj – nënvizoi ai - të marr pjesë sot në këtë meshë kaq të veçantë, nëpërmjet së cilës, na u përcollën mesazhe paqeje, mirësie, dashurie e humanizmi, me shumë kuptim dhe të domosdoshme… Jo rastësisht – theksoi më tej presidenti - imzot Rrok Mirdita zgjodhi si ipeshkëv ndihmës të tij, Imzot George Anthony Frendo-n, i cili me fjalën e urtë dhe petkun fisnik të fesë u bë drejtues moral i bashkësisë katolike në Shqipëri”.

Vërtet, nënshtetësia iu dha si “vlerësim për kontributin dhe veprimtarinë e spikatur 20-vjeçare… në ringjalljen e besimit dhe në forcimin e harmonisë fetare. Imzot Frendo – tha presidenti – u shërbeu dhe kontribuoi me shpirt për të ndihmuar të varfërit dhe familjet në nevojë. Frendo, një nga frymëzuesit dhe arkitektët e shumtë të ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë së shkëlqyer shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë së besimeve. Falë nismave dhe veprës së tij u është ofruar punë e shërbime qindra njerëzve në nevojë. Veprat e imzot Frendo-s e shndërruan Kishën Katolike në një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi në Shqipëri”.

Presidenti përkujtoi edhe vizitën e Papës Gjon Pali II në Shqipëri, duke shfaqur mirënjohjen e gjithë kombit shqiptar për bekimin e këtij shenjti, për shpresën e besimin, që frymëzoi. Gjithashtu, përmendi kryeipeshkvin e ndjerë, imzot Rrok Mirditën, para trashëgimisë së vyer të të cilit – tha – “përulemi me respekt dhe mirënjohje”.

Duke falenderuar, imzot Frendo theksoi se e ka “dashur gjithmonë Shqipërinë dhe shqiptarët”. “Ndihem njëri prej jush – u tha të pranishmëve – dhe jam shumë krenar”. Ndjenjë, që u vu në dukje edhe nga nunci apostolik, imzot Charles Brown, i pranishëm në meshë, përmes fjalëve, që i drejtoi imzot George Frendo-s: “tani u bëtë shqiptar i vërtetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.