2018-04-25 12:49:00

Papa do të takohet me disa viktima të abuzimeve nga Kili


“Fundjavën e ardhshme, Ati i Shenjtë do të presë në Shtëpinë e Shën Martës, tri viktima të abuzimeve të klerit në Kili: respektivisht, Juan Carlos Cruz, James Hamilton dhe Jose Andrés Murillo”. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e konfirmoi sot këtë takim.

Papa ndan dhimbjen me viktimat

“Papa – shpjegoi Burke – i falenderon që kanë pranuar ftesën e tij: gjatë këtyre ditëve takimi personal e vëllazëror, dëshiron t’u kërkojë falje, të ndajë me ta dhimbjen dhe turpin për vuajtjet, që kanë pësuar e, sidomos, të dëgjojë të gjitha sugjerimet e tyre që të mos përsëriten më kurrë këto fakte të dënueshme”. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit saktësoi më pas se “Papa do t’i presë viktimat individualisht, duke e lënë secilin prej tyre të flasë për gjithë kohën e nevojshme”.

Të mos përsëriten abuzimet

Burke përfundoi me fjalët: “Ati i Shenjtë kërkon lutje për Kishën në Kili, në këtë çast të dhimbshëm, duke uruar që këto takime të zhvillohen në një atmosferë të qetë besimi e të jenë hap themelor për parandalimin dhe shmangien e abuzimeve të ndërgjegjes, të pushtetit dhe, në veçanti, të abuzimeve seksuale në gjirin e Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.