2018-04-25 15:06:00

Papa Gjon Pali II në Shqipëri: kur feja mposhti ateizmin


25 vjet më parë një shenjt vinte këmbën në Shqipëri, për t’i kthyer vendit të vetëshpallur ateist Kishën Katolike, pas viteve të tmerrshme të persekutimit të regjimit komunist. Ishte Papa Gjon Pali II. Në katedralen e Shkodrës, që komunistët e kishin shndërruar në Pallat Sporti, Papa polak shuguroi katër ipeshkvij shqiptarë. Pastaj, para se të kthehej në Romë, në sheshin Skënderbej në Tiranë, iu drejtua kombit shqiptar.

Fjala e Gjon Palit II në Tiranë

Dielli kishte perënduar, kur Papa filloi të fliste, por njerëzit që e mbushnin sheshin e dinin se tashmë, një dritë më e fuqishme shndriste për ta. Dritë, që s’mund të shuhej. Drita e fesë në Krishtin, që rezistoi në zemrat e shqiptarëve edhe në ditët e errta e të ftohta të “dimrit të madh” komunist. Karol Vojtila, Papa i ardhur nga Polonia, e dinte mirë nëpër ç’lloj vuajtjesh u desh të kalonin të krishterët shqiptarë e pikërisht për këtë shkoi në Shqipëri, për të ndarë me ta “gëzimin për lirinë e rigjetur”, si edhe për të nderuar “fenë e paepur të popullit shqiptar”.

Lufta kundër fesë në Shqipëri, paralajmërim për Evropën

Shenjti i ardhshëm kishte në sy mallëngjimin e katër ipeshkvijve të rinj, shuguruar paradite në Shkodër dhe lotët e besimtarëve, që ishin të pranishëm e shihnin me sytë e tyre një mrekulli, që vetëm një vit më parë, dukej utopi: vizitën e Papës në një vend, që e kishte bërë ateizmin një nga shtyllat mbi të cilat mbështetej Kushtetuta. Vetë Ati i Shenjtë pohoi se Shqipëria “ishte zhytur në një humnerë, nga e cila mundi të dalë vetëm për mrekullinë” e Zotit. Për Papën, ajo që ndodhi në këtë kënd të humbur të Evropës, kishte një kuptim, që i kapërcente kufijtë e vendit. Ishte paralajmërim për krejt njerëzimin e për Evropën në veçanti:

“Ishte fjala për një luftë të ashpër kundër fesë, në vijë me dogmën e paprekshme të programit shoqëror e politik, që mbronte ideologjia komuniste – theksoi Vojtila në Tiranë. – Dukej sikur mjeti më i nevojshëm për të realizuar të ashtuquajturën ‘parajsë mbi tokë’, aq të propaganduar e të trumbetuar, ishte ai i privimit të çdo njeriu nga forca, që merr nga Krishti, forcë e dënuar me vendosmëri si dobësi e padenjë për njeriun. Në të vërtetë, më tepër se e padenjë, ishte e paleverdisshme, siç e treguan faktet më vonë: njeriu, i mbështetur nga energjia e fesë, nuk lejon aq lehtë të mënjanohet në anonimatin kolektiv”.

Liria fetare është baza e lirive të tjera

Gjon Pali II theksoi, siç kishte bërë e siç do të bënte edhe herë të tjera, se liria fetare “është dhuratë për të gjithë, pasi është garanci bazë e çdo shprehjeje tjetër të lirisë”. Ajo, nënvizoi Papa në Shqipëri, “e prek njeriun në shpirt, në atë përmendore të shenjtë e të padhunueshme, që është ndërgjegjja, ku secili takohet me Krijuesin dhe bëhet plotësisht i vetëdijshëm për dinjitetin e vet”:

“Nga një liri e tillë, kur përdoret drejt, nuk duhet pasur frikë për çrregullime shoqërore. Vërtet, feja e sinqertë nuk i ndan njerëzit, por i bashkon, pavarësisht se të ndryshëm. Asgjë sa feja nuk na kujton se, kur kemi një Krijues të vetëm, jemi të gjithë vëllezër! Liria fetare është kështu ledh i pakapërcyeshëm kundër totalitarizmave dhe kontribut vendimtar për vëllazërimin njerëzor. Liria e vërtetë fetare u ikën tundimeve të intolerancës dhe të sektarizmit, si edhe promovon qëndrime dialogu konstruktiv plot respekt”.

Liria fetare e dialogu

Liria fetare e dialogu! Karol Vojtila vuri theksin mbi bashkëjetesën fetare në Shqipëri e u kërkoi shqiptarëve të vijojnë në këtë rrugë, edhe nëse dialogu mund të bëhej i lodhshëm. Gjithashtu, Papa Gjon Pali II e inkurajoi demokracinë e re shqiptare, duke kujtuar, siç shkruante në “Centesimus Annus”, se “një demokraci pa vlera kthehet lehtë në totalitarizëm të hapur ose nën rrogoz, siç dëshmon historia”. Shenjti i ardhshëm jo vetëm paralajmëroi për këtë rrezik, por dha edhe ilaçin për ta luftuar: “humanizmin e vërtetë, që e vë njeriun, parë në dritën e Zotit dhe të gjitha përmasat e tij, në qendër të çdo projekti ekonomik, shoqëror e politik”:

 “Njeriu e Zoti nuk janë alternativë e njëri-tjetrit, nuk janë konkurrentë. Përkundrazi, njeriu ka një dinjitet tejet të lartë, pikërisht pse është krijesë në shembëllim me Zotin. Njohja e kësaj vlere dhe e këtij centraliteti për çdo njeri do të bëjë të mundur që në ekonomi, të gjendet ekuilibri i drejtë ndërmjet arsyeve të efikasitetit dhe atyre të solidaritetit, si edhe do ta kthejë impenjimin politik në një kërkim të përgjegjshëm të së mirës së përbashkët, për t’u vijuar gjithnjë duke respektuar të gjitha kërkesat etike e morale”.

 Sot, ndërsa përkujtojmë 25-vjetorin e vizitës së Gjon Palit II në Shqipëri, po u lëmë këtë porosi e këtë reflektim të shenjtit, ndërsa Shqipëria po nxiton të hyjë sa më shpejt në atë Evropë, së cilës Papa ia jepte si shembull popullin e vogël shqiptar.








All the contents on this site are copyrighted ©.