2018-04-25 18:45:00

C9: përparësi, mbrojtja e të miturve dhe reforma e Kuries


Përfundoi sot, mbledhja XXIV e Këshillit të Kardinajve me Papën Françesku, filluar më 23 prill në Vatikan. Ati i Shenjtë mori pjesë në të gjitha seancat, përveç asaj të sotmes, për shkak të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Mbledhja e ardhshme e Këshillit, që njihet me emërtimin “C9”, do të mbahet më 11, 12 e 13 qershor.

Kushtetuta e re Apostolike

Pjesa më e madhe e diskutimeve iu rezervua reformës së Kushtetutës Apostolike për Kurien Romake, thuhet në një notë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Miratimi i variantit përfundimtar do të kërkojë edhe pak kohë e pastaj, kardinajtë do t’ia paraqesin atë Papës për shqyrtimin e fundit e për publikimin.

Temat e dokumentit

 Ndër temat e dokumentit të ri, të cilat janë diskutuar gjerësisht edhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit të Kardinajve, ka disa me rëndësi të veçantë. Së pari, Kuria Romake si shërbim për Atin e Shenjtë e për Kishat vendore; pastaj, karakteri baritor i veprimtarive kuriale; themelimi dhe funksionimi i Seksionit të Tretë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, që do të ketë detyra të përcaktuara mirë e; së fundi, kumtimi i Ungjillit dhe fryma misionare si perspektivë, që karakterizon veprimtarinë e gjithë Kuries.

Mbrojtja e të miturve

 Edhe në këtë mbledhje, C9-a i dha hapësirë të madhe temës së mbrojtjes së të miturve, të cilën Papa Françesku e ka shumë për zemër. Në veçanti, kardinali Sean O’Malley i njoftoi pjesëmarrësit mbi përpjekjet e shumta në gjithë botën për mbrojtjen e të miturve dhe të të rriturve më të brishtë. Në mbledhjen e tij të fundit, Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve dëgjoi dëshmitë e anëtarëve të sapoemëruar, ardhur nga Brasili, Etiopia, Australia dhe Italia. Gjithashtu, priti edhe një grup nga Mbretëria e Bashkuar, “Survivor Advisory Panel”. Kardinali nënvizoi rëndësinë e dëgjimit të viktimave për ta nisur punën nga jeta e tyre e nga ngjarjet, që i kanë bërë të vuajnë.

Reforma e mediave

Këshilli i Kardinajve dëgjoi edhe Sekretarin e Sekretarisë për Komunikimin (ku bën pjesë edhe redaksia e gjuhës shqipe), imzot Lucio A. Ruiz, i cili foli mbi gjendjen aktuale të reformës së mediave të Vatikanit. Përsa i përket emërimit të prefektit të ri të Sekretarisë për Komunikimin, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke, pohoi se akoma nuk dihet as koha e as mënyra.








All the contents on this site are copyrighted ©.