Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: kurrë të burgosur të fjalëve a të mbyllur për Shpirtin Shenjt

Papa kremton Meshën në Shën Martë

24/04/2018 12:39

Në Kapelën e Shën Martës, Papa Françesku, duke kremtuar duke kremtuar leximet biblike të Meshës së sotme, reflektoi për rezistencën që i kundërvë njeriu veprës së Shpirtit Shenjt. Në historinë e njeriut “vërehen gjithnjë rezistenca ndaj Shpirtit Shenjt,  kundërshtime përballë risive e “ndryshimeve”. Në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku reflektoi mbi litugjinë e sotme, duke u ndaluar në mënyrë të posaçme, tek qëndrimet e ndryshme që mban njeriu ndaj Zotit, i cili  vjen gjithnjë drejt nesh, duke sjellë me vete diçka të re, origjinale.

Të burgosurit e ideve

Në Ungjillin e Shën Gjonit vihet fort theksi mbi mbylljen e doktorëve të ligjit, sjellje që, më pas, bëhet krejtësisht e ngurtë. Janë njerëz të aftë për të vënë në qendër vetëm vetveten, të flashkët ndaj veprës së Shpirtit Shenjt. E të pandjeshëm ndaj risive. Papa nënvizoi, posaçërisht, paaftësinë e tyre të plotë për t’i dalluar shenjat e kohës,  ngaqë  mbeten gjithnjë  skllevër të fjalëve e të ideve:

“Rikthehen tek e njëjta pyetje e, të paaftë të dalin nga kjo botë e mbyllur, mbeten gjithnjë të burgosur të ideve. E morën ligjin, që ishte jetë, por e “distiluan”, e shndërruan në ideologji e kështu sillen e përsillen, të pafatë për të dalë nga burgu, ku u vetëmbyllën e çdo risi për ta është kërcënim”.

Liria e bijve të Zotit

Krejt ndryshe duhet të jetë qëndrimi i bijve të Zotit që, edhe në paçin, në fillim, ndonjë farë ngurrimi, janë të lirë e të aftë ta vënë në qendër Shpirtin Shenjt. Shembulli i dishepujve, i treguar në Leximin e Parë, vë në dukje bindjen ndaj së resë e aftësinë për ta mbjellë Fjalën e Zotit edhe jashtë çdo skeme, larg mendimit “kështu është bërë gjithnjë”. Dishepujt e parë - vërejti Papa - iu bindën gjithnjë Shpirtit Shenjt për të bërë një gjë, që ishte shumë më tepër se revolucion, “ishte ndryshim i fuqishëm”. E në qendër të tij, ishte gjithnjë Shpirti Shenjt: jo ligji, Shpirti i Zotit:

“E Kisha ishte Kishë në lëvizje, Kishë që shkonte përtej vetvetes. Nuk ishte grup i mbyllur të zgjedhurish, po Kishë misionare: madje mund të themi se  ekulibri i Kishës është pikërisht lëvizja, me besnikëri ndaj Shpirtit Shenjt. Dikush ka thënë  se ekulibri i Kishës i ngjet ekulibrit të biçikletës: rri në këmbë, kur lëviz. Po e  ndalove, bie. Shembull i mirë”.

Lutje e shqyrtim, për të gjetur rrugën

Mbyllje e hapje; dy skaje të kundërta, që na tregojnë si mund të reagojë njeriu ndaj frymës së Shpirtit Shenjt. I dyti - përfundoi Papa Françesku - është  pikërisht ai i dishepujve, i apostujve: rezistenca e tyre fillestare nuk është vetëm njerëzore, por edhe “garanci se nuk  gënjehen lehtë e pastaj, me lutje e shqyrtim, e gjejnë rrugën e drejtë”.

“Do të ketë gjithnjë rezistencë ndaj Shpirtit Shenjt, gjithnjë, gjithnjë deri në fund të fundit të botës. Zoti na dhashtë hirin të dimë të rezistojmë përballë asaj, së cilës i duhet rezistuar, që vjen nga djalli, që na e heq lirinë e të dimë t’ia hapim zemrën risive, por vetëm atyre, që vijnë nga Zoti, me forcën e Shpirtit Shenjt e na dhashtë hirin t’i dallojmë shenjat e kohës, për të marrë vendimet, që duhen marrë në atë çast”.

24/04/2018 12:39