2018-04-24 11:17:00

Katar: Patriarku Raï bekon kishën e parë maronite të Gjirit


I kushtohet shën Sharbelit, vendi i parë i kultit për bashkësinë maronite në Katar dhe në gjithë Gjirin arabik: kisha e ardhshme do të ngrihet në Doha, mbi një truall të ofruar nga autoritetet e Emiratit. Guri i parë i themelit u vendos të premten e kaluar nga Patriarku maronit, kardinali Bechara Raï. Gjatë vizitës së tij baritore prej katër ditësh në Doha, që sapo përfundoi, Hirësia e Tij u prit nga Emiri i Katarit, Tamin ben Hamad al-Thani dhe nga krerët institucionalë vendas.

Vizita historike e Patriarkut Raï

Ishte vizitë historike, kjo e Patriarkut - komenton atë Sharbel Mhanna, përfaqësues i Patriarkut maronit në Katar dhe president i Komitetit për ndërtimin e kishës së Shën Sharbelit, duke folur me telefon nga Doha, ku libanezët me banim në këtë vend  janë rreth 30 mijë vetë. - Vendimi për të dhuruar një truall prej 10 mijë metrash katrore, mbi të cilin do të naltohet ndërtesa, është gjest që flet për hapjen e portave nga ana e shtetit - siç ndodhi edhe për kishën katolike të Zojës Rruzare, ngritur dhjetra vjet më parë - e edhe - shenjë e respektit që gëzojnë Kishat lindore  - vëren meshtari.

Çast hapjeje

Katari po jeton një çast të posaçëm, atë të hapjes së rrugëve të reja për tregtinë. Në vend, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë të dukshme shenja të reja pozitive zhvillimi, pavarësisht nga tensionet me Arabinë Saudite, Egjiptin,  Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të cilat, në gjashtë muajt e kaluar, e patën akuzuar Dohën se po mbështet grupet terroriste. “Katari sot shkon përpara drejt hapjes me të tjerët dhe zhvillimit të ndjeshëm, pavarësisht nga qëndrimet  e disa vendeve  të zonës, që kanë deklaruar se janë kundra”. Nuk mund të flitet “për luftë”, nënvizon rregulltari, që nuk dëshiron të hyjë në çështje politike, por për një qëndrim të përbashkët kundër Katarit.

Brenda 18 muajve ngrehina do të jetë gati

Siç uroi Patriarku Bechara Raï “shpresojmë se Shën Sharbeli do t’i japë paqe e qetësi të gjitha vendeve arabe e, në veçanti, Katarit - përfundon meshtari maronit - duke njoftuar se “brenda 18 muajve do të jenë gati ndërtesa e kishës dhe oratori, ndërsa më pas do të kryhen sallonet, zyrat, kapela, shkolla dhe banesa për meshtarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.