2018-04-23 14:57:00

Reforma e Kuries: mbledhje e re e Këshillit të Kardinajve me Papën


Filloi sot paradite, në praninë e Papës Françesku, mbledhja e re e Këshillit të Kardinajve. Punimet do të vijojnë deri më 25 prill. Është fjala për mbledhjen e dytë të të ashtuquajturit “C9” gjatë vitit 2018, por e 24-ta që nga themelimi i këtij organizmi nga Ati i Shenjtë, me detyrën për ta ndihmuar “në qeverisjen e Kishës universale dhe në studimin e një plani për rishikimin e Kushtetutës Apostolike ‘Pastor Bonus’ të Kuries Romake” (Kirografi i 28 shtatorit 2013).

Temat e mbledhjes së fundit

         Ndër temat e diskutuara në mbledhjen e fundit, veçojmë atë mbi statutin teologjik të Konferencave Ipeshkvnore, nisur nga paragrafi 32 i Nxitjes Apostolike “Evangelii Gaudium”, në të cilën lexohet se “nuk është specifikuar mjaftueshëm një statut i Konferencave Ipeshkvnore, që t’i konceptojë ato si subjekte me detyra konkrete, përfshirë edhe ndonjë autoritet doktrinor. Centralizimi i tepërt, në vend që të ndihmojë, e ndërlikon jetën e Kishës dhe dinamikën e saj misionare”.

Personeli, ulja e kostove dhe proceset për abuzimet

         Pika të tjera, që u morën parasysh nga C9-a në mbledhjen e shkurtit, qenë çështja e personelit dhe ulja e kostove të Selisë së Shenjtë. Kardinajtë diskutuan edhe mbi shpejtimin e proceseve gjyqësore për abuzimet me të miturit, çështje në varësi të Kongregatës për Doktrinën e Fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.