2018-04-23 14:25:00

Papa Jorge, në ditën e emrit, përkëdhel të varfërit e Romës


Ledhatim i Papës, Jorge Bergoglio për njerëz nevojtarë: kështu e quajti Lëmoshtaria Apostolike nismën e dëshiruar nga vetë Françesku: shpërndarjen e mijëra akulloreve të varfërve, të asistuar në strukturat romake, për të festuar ditën e emrit, që bie pikërisht sot, në kujtimin liturgjik të Shën Gjergjit.

Deri në 5 mijë akullore 

U kalua, në këtë festë, kuota e 3 mijë akulloreve, për të arritur përtej 5 mijëve. U shpërndanë gjatë gjithë ditës: në mensa, në bujtina, e në qendra e drejtuara kryesisht nga Karitasi, por edhe nga Shën Egjidi, nga Qendra Astalli dhe struktura të tjera, si qendra e mikpritjes për kërkuesit e strehimit e Castelnuovo-di Porto, që mikpret rreth 900 refugjatë.

Dhurata të vogla, të pritura me gëzim të madh

Është fjala për gjeste të vogla - shpjegojnë në Lëmoshtarinë Apostolike - por që të varfërit i presin gjithnjë me gëzim të madh, ngaqë e dinë se vijnë nga zemra, e ndjejnë se Papa mendon për ta e ia kthejnë me një buzëqeshje, një faleminderit të thjeshtë ose me një lutje.

Lëmoshtaria: mirënjohëse ndaj atyre, që i ndihmojnë të varfërit

Pranë dusheve të shtyllakut të Shën Pjetrit, akulloret u shpërndanë në mëngjes. Shërbimet higjienike, të organzuara nga Papa për të pastrehët, që sillen rreth zonës së Vatikanit - nënvizojnë në Lëmoshtari - funksionojnë shumë mirë. Kohët e fundit ndokush e kritikoi praninë e të pastrehëve në këtë zonë, sepse shpesh lë pas një mjedis krejt të papastër. Por, nuk janë të varfërit, që e ndotin Romën- vërejnë në Lëmoshtarinë - që i falënderon fort të gjithë ata, të cilët shpërvjelin mëngët për t’i ndihmuar drejtpërdrejt nevojtarët, edhe me gjeste fare të vogla mikpritjeje e afërsie. Në përfundim të ditës, Lëmoshtari do t’i paguajë të gjitha akulloret e shpërndara.

Jezusi na kërkon dashuri, përmes fytyrës së të varfërve

“Në të varfërin, Jezusi troket në zemrën tonë e, i etur, na kërkon dashuri” - janë fjalët e Papës Françesku, shqiptuar më 19 nëntor të vitit të kaluar, me rastin e  Meshës për Ditën Botërore të të Varfërve. “Këta vëllezër më të vegjël, më të dashur prej Tij - pati thënë në homeli - janë i urituri e i sëmuri, i huaji e i burgosuri, i varfëri e i braktisuri, i vuajturi pa asnjë ndihmë e nevojtari i flakur në mes të rrugës. Në fytyrat e tyre mund të përfytyrojmë të shtypur fytyrën e Zotit; mbi buzët e tyre, edhe pse të mbyllura nga dhimbja, fjalët e Tij: ‘Ky është korpi im!’”.(Mt 26,26)








All the contents on this site are copyrighted ©.