2018-04-21 16:02:00

Vritet një meshtar në Meksikë: Konferenca ipeshkvnore, në zi


Meshtari sapo kishte kryer kremtimin e Meshës Shenjte. Që nga fillimi i  këtij viti, në Meksikë u vranë katër meshtarë.

Kisha në Meksikë, përsëri në zi! Një meshtar 33 vjeç, atë Juan Miguel Contreras Garcia, u vra dje, në përfundim të kremtimit të Meshës Shenjte në famullinë e Shën Piut nga Pietrelçina të Tlajomulco-s, në shtetin e Jalisco-s.  Burimet vendase  njoftojnë se një grup njerëzish hyri dje papritmas në Kishë, ndërsa meshtari po përfundonte kremtimin. Besimtarët e famullisë pohuan se kishte zëvendësuar një meshtar tjetër, të kërcënuar me vdekje.

Dëshmia e atë Juan Miguel Contreras Garcia

Në një nga dëshmitë e meshtarit të vrarë, dhënë gjatë periudhës kur ishte diakon e vijonte përgatitjen në seminarin e Gudalajara-s, atë Juan pati folur për thirrjen e tij. Zoti - pati pohuar - më pa me mëshirë e më zgjodhi. Për mua meshtarí do të thotë ta mbushësh botën me dritë!

Drama e luftës për drogën

Në shtetin e Jalisco-s, të tronditur thellësisht nga lufta për drogën, e cila godet edhe zona të tjera të vendit, të ndara ndërmjet bandave, meshtarët, gazetarët dhe veprimtarët për të drejtat e njeriut janë gjithnjë më shumë viktima të pritave, organizuar nga grupet kriminale. Të mërkurën e kaluar u vra, jo larg nga Qyteti i Meksikos, një prift tjetër: atë Rubén Alcantara Díaz, i dioqezës së Izcalli. Qendra Katolike Multimediale njofton se në Meksikë, gjatë gjashtë vjetëve të presidencës së Enrique Peña Nieto, u vranë 23 meshtarë.

Dhimbja e Kishës dhe e ipeshkvijve të Meksikës

Konferenca ipeshkvnore e Meksikës shpreh, përmes një komunikate, trishtimin e saj të thellë. “Bëjmë thirrje urgjente - lexohet në dokument - për krijimin  e kulturës së paqes e të pajtimit. Këto ngjarje të dënueshme na bëjnë thirrje të gjithëve për kthesë të thellë e të sinqertë”. “U kërkojmë autoriteteve kompetente  - shkruajnë akoma prelatët - të hedhin dritë mbi këtë episod dramatik dhe të veprojnë në përkim me drejtësinë”.

Atyre që e ushqejnë këtë dhunë, ipeshkvijtë u kërkojnë  të heqin dorë jo vetëm nga armët, por edhe nga urrejtja, mllefi hakmarrja dhe të gjitha ndjenjat shkatrrimtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.