Vizitë, që i kushtohet dëshmimit të detyrës e, njëkohësisht, edhe të bukurisë për t’u qëndruar pranë të fundmëve. Pasi arriti në aeroportin e Galatinës, Papa Françesku shkoi me helikopter në Alessano, në zonën e Leçes, vendlindja e imzot Tonino Bello-s, 25 vjet nga kalimi i tij në amshim.
Homazhi i heshtur në varrin e don Tonino Bello-s
Ati i Shenjtë mbërriti rreth ores 8.45 e menjëherë, shkoi t’i bënte homazh Shërbëtorit të Zotit, për të cilin vazhdon Ҫështja e Lumnimit. Papa vendosi një tufë lulesh bardh e verdh e u lut në heshtje prekëse para varrit të atij, që konsiderohet dëshmitar i “Kishës amvisë”. Varr, “që nuk ngrihet monumental drejt lartësive, por duket si i mbjellë në tokë”, do të thotë më vonë Françesku. Përreth, era valëvit flamujt e vegjël me ngjyrat e ylberit, si për të kujtuar forcën me të cilën don Tonino u impenjua për paqen, për shembull, në vitin 1992, me marrshimin e Sarajevës. Pastaj, tributi i Papës për familjarët e vdekur dhe përshëndetja me të afërmit e Shërbëtorit të Zotit.
Takimi me besimtarët
Në sheshin përballë varrezave, Ati i Shenjtë takoi së paku 20 mijë besimtarë, ardhur nga e gjithë zona. Ndjehej ngrohtësia e njerëzve të asaj toke, e cila, vëren menjëherë Papa, i dha don Toninos “pasurinë e pakrahasueshme për t'i kuptuar të varfërit” e për t’u shërbyer atyre.
Të kuptonte të varfërit ishte për të pasuria e vërtetë. E kishte të drejtë, sepse të varfërit janë me të vërtetë pasuri për Kishën. Na e kujto prapë, don Tonino, para tundimit të përsëritur për të ecur pas bishtit të pushtetarëve të radhës, për të kërkuar privilegje, për të ndjekur një jetë rehati.
Pasiguria e punës, problemi aktual
Vlen edhe sot nxitja e don Toninos: të mos e “teorizojmë” afërsinë me të varfërit, por t’u qëndrojmë vërtet pranë, duke ndjekur shembullin e Krishtit, që “u zhvesh nga vetvetja”. E Papa e kujtoi kështu Shërbëtorin e Zotit:
Nuk e shqetësonin kërkesat, i dhimbte shpirti nga indiferenca. Nuk kishte frikë nga mungesa e parave, shqetësohej për pasigurinë e punës, edhe sot, problem aktual. Nuk e humbiste rastin për të pohuar se në vendin e parë qëndron punëtori me dinjitetin e tij, jo fitimi me lakminë e tij.
Të mbillet fara e paqes kudo
Don Tonino, shtoi Papa, “nuk rrinte kurrë duarkryq”. “Vepronte lokalisht për të mbjellë farën e paqes globalisht, me bindjen se mënyra më e mirë për të parandaluar dhunën e çdo lloj lufte është të kujdesesh për nevojtarët e të promovosh drejtësinë. Në fakt, nëse lufta sjell varfëri, edhe varfëria sjell luftë”.
Mesdheu të jetë arkë paqeje
Toka e mrekullueshme e don Tonino-s është tokë “kufiri”, që ai vetë e quante “tokë-dritare”, sepse nga Jugu i Italisë “hap një dritare drejt jugut të botës”, ku “më të varfërit janë gjithnjë e më të shumtë, ndërsa të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur e gjithnjë e më të paktë në numër”, vërejti Papa.
Jeni ‘dritare e hapur, nga ku shihen të gjitha varfëritë e historisë’, por jeni, sidomos, dritare shprese, që Mesdheu, pellg historik qytetërimi, të mos jetë kurrë hark i nderë lufte, por arkë mikpritëse paqeje.
“Evokacioni” i ipeshkvit të Molfetës
Duke folur për don Tonino Bello-n si ipeshkëv, thirrjen e tij apo vokacionin për t’ia kushtuar jetën Zotit, Papa Françesku e quajti - me fjalët e Shërbëtorit të Zotit – “evokacion” apo përjetim i Zotit, thirrje për të qenë jo vetëm besimtarë të devotshëm, por njerëz të dashururar me Zotin, me zjarrin e ëndrrave, me hovin e dhurimit të vetvetes, me guximin për të mos u ndalur në masa gjysmake. Kur Zoti kërkon përgjigje të prerë, nuk mund t’i përgjigjemi me “ndoshta”, nënvizoi Papa.
Kishë e përflakur me dashuri
Dëshira e don Toninos ishte të bëhej krejt i vogël që t’u qëndronte pranë të fundmëve, të shërbente në një Kishë për botën.
Jo të kësaj bote, por për botën. Zoti na e dhashtë këtë hir: një Kishë jo të kësaj bote, por në shërbim të botës. Kishë, që nuk i referohet vetëm vetvetes, ‘del e priret jashtë vetes, nuk mbyllet’; nuk pret të marrë, por ngutet të japë; nuk fle mbi dafinat e së kaluarës, por përflaket nga dashuria për të sotmen, sipas shembullit të Zotit, që aq shumë e deshi botën.
Alergjia për titujt e nderimet
Papa kujtoi alergjinë e don Tonino Bello-s për titujt e nderimet, dëshirën e tij për t’u liruar nga shenjat e pushtetit e për t’i lënë vend pushtetit të shenjave të Zotit. Qe dëshmitar i “Kishës amvisë”, që vë përparësen e punës, “i vetmi petk meshtarak i përmendur në Ungjill”, thoshte vetë. Qe njeri me këmbë në tokë e me sytë kah Qielli. Ai thoshte se të krishterët duhet të jenë kundrues aktivë të Zotit e kështu e donte edhe Kishën, shpjegoi Papa, duke luajtur me fjalën italiane “contemplattiva” (kundruese), të cilën don Tonino Bello e kishte kthyer në contempl-attiva, me dy “t”, pra, një Kishë kundruese aktive, që e jeton Ungjillin megjithësej, “pa nostalgji të kotë për të kaluarën – nënvizoi Papa Françesku para besimtarëve të Puljes – pa thashetheme për të tashmen e pa frikë për të ardhmen”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |