2018-04-20 13:59:00

Papa në Molfetta: të jesh si Jezusi, bukë e thyer për të tjerët


Kush ushqehet me Jezusin, bukë e jetës, përmes Eukaristisë, asimilon të njëjtën mendësi. Në homelinë e Meshës, kremtuar në Molfetta, Françesku ngulmoi: “ta jetojmë, çka kremtojmë” e pyeti: “Pas shumë Kungimesh, domethënë bashkimesh me Krishtin, a bëhemi njerëz të bashkimit?”.

Buka e Fjala – Eukaristia e Shkrimi Shenjt - në qendër të homelisë së Papës, mbajtur gjatë Meshës, kremtuar në Molfetta, e parë edhe me sytë e don Tonino Bellos.

Bukën, si ushqim themelor për të jetuar! - kujtoi së pari Papa -  E Jezusin që, në Ungjill na dhurohet si Bukë e jetës, si të donte të thoshte “Nuk mund të bëni pa mua”. Duke përdorur shprehje të forta: “ hajeni korpin tim e pijeni gjakun tim”. E kjo do të thotë të hyjmë në marrëdhënie jetike, personale me Të. Buka e gjaku! Kjo është Eukaristia - nënvizoi Papa - duke shpjeguar më pas, se nuk është fjala për një rit të bukur, por për një bashkim të thellë, konkret, më mahnitësi që mund të përfytyrohet, me Zotin; bashkim dashurie aq reale, sa merr formën e ngrënies! Nga kjo sofër niset gjithnjë jeta e krishterë. Mbi të Zoti na e shuan etjen për dashuri. Pa Të, Bukë e jetës, çdo përpjekje e Kishës është e kotë. E Papa e shtjelloi më tej paralelizmin me  fjalët e don Toninos, që vijon të na kujtojë: “Nuk mjaftojnë veprat e dashurisë së krishterë, nëse në to mungon pikërisht dashuria e krishterë, nëse mungon burimi i tyre, pikënisja, që është Eukaristia!”.

Jezusi në Ungjill – vijoi Papa - shton: “Kush ha korpin tim, do të jetojë për mua. Si të donte të thoshte: kush ushqehet me Eukaristinë, bluan të njëjtën mendësi, që ka vetë Zoti. Buka thyhet për ne... Pas ngrënies së saj nuk mund të jetojmë më për vete, por për të tjerët.  E Papa rikujtoi don Bellon,  që jetoi si bari i bërë popull, që ëndërroi një Kishë të uritur për Jezusin, e cila di ta shohë Korpin e Krishtit në tabernakujt e mjerimit, të vuajtjes, të vetmisë. Me pyetjen në buzë: “Më pëlqen të më shërbejë në sofër Zoti, apo të ngrihem, për të shërbyer si Zoti?”.

Buka e thyer është edhe Bukë e paqes. Don Tonino - kujtoi përsëri Papa -mendonte se paqja nuk vjen, kur merr bukën tënde e shkon ta hash vetëm për vete: paqja vjen vetëm kur e ndan me të tjerët, duke dashur çdo fytyrë, që e ha pranë teje e duke qenë gjithnjë ndërtimtar të paqes.

Së bashku me Bukën, është Fjala. Në Ungjill ndeshemi edhe me diskutime të tilla rreth Fjalëve të Jezusit: “Si mund t’i zgjidhë Ungjilli problemet e botës? Ç’kuptim ka të bësh mirë, në një botë ku mbretëron e keqja?”. Diskutojmë. Duke harruar se Fjala e Krishtit është për të ecur në jetë, jo për t’u ulur e për të marrë nëpër gojë çka shkon e çka nuk shkon! Është për të kaluar nga fjalët, tek faktet. Siç shprehej edhe don Tonino.

E këtë na e këshillon vetë Fjala e Zotit që, si Saulit, në Leximin e parë, na kërkon t’i vëmë në lojë jo arsytimet, por vetë jetën. Na fton të ngrihemi në këmbë. Ta mposhtim frikën. Kjo – nënvizoi Papa gjatë homelisë së Meshës - motoja e jetës së don Toninos, që përsëriste shpesh: “Në këmbë! Sepse para të Ngjallurit mund të qëndrosh vetëm në këmbë”.

Zoti i thotë Saulit: “Hyrë në qytet”! E edhe ne të gjithëve na thotë: “Shko, mos u mbyll në skutat tua, ku ndjehesh i sigurt. Rreziko! Jeta e krishterë duhet investuar për Jezusin e duhet shkrirë për të tjerët. Pasi ta kesh takuar të Ngjallurin, nuk mund të presësh më, të mendohesh; duhet të shkosh, të dalësh, pavarësisht nga problemet e paqartësitë. Duhet të thuash- kujtoi në vijim Papa - si Sauli, e si Don Tonino: “Ja ku jam, o Zot” e të bëhesh shërbëtor i botës, po si i Ringjallur, jo si zyrtar. Është e bukur të jesh kasnec i shpresës, shpërndarës  i thjeshtë e gazmor alelujash!

Të dashur vëllezër e motra - përfundoi Françesku - në çdo meshë ushqehemi me Bukën e jetës e Fjalën e shëlbimit: ta jetojmë, çka kremtojmë! E ashtu si don Tonino, do të jemi gurra shprese, gëzimi, paqeje!








All the contents on this site are copyrighted ©.