2018-04-20 19:00:00

Kardinali Tauran takohet me mbretin saudit: hapje dialogu


Të mërkurën e kaluar, kardinali Jean-Louis Tauran,  kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, që vijon vizitën në Arabinë Saudite, pati një takim të pashembullt: u prit në pallatin mbretëror, nga mbreti Salman Bin Abd Al-Aziz.

Përveç sovranit saudit – që ka edhe titullin e rojtarit të dy qyteteve të shenjta myslimane, Mekës e Medinës - kardinali u takua  edhe me Ministrin e jashtëm Adil al-Jubayr. Delegacioni vatikanas vizitoi edhe Qendrën për luftën kundër ekstremizimit e, të martën, më 17 prill, ishte në audiencë tek kryetari i Këshillit konsultiv (al-Shura), Abdallah bin Muhammad Al al-Shaykh.

Jehonë  e gjerë në mediat arabe

Lajmet lidhur me vizitën - shkruan L’Osservatore Romano - patën jehonë të madhe në mediat kryesore vendase: e para që foli për të, ishte agjencia e shtypit qeveritar, e ndjekur nga lajmet televizive ditore të emitenteve kryesore e nga kanalet e ndryshme të internetit. E dje paradite, edhe një numër i madh gazetash botoi kronika të pasura me foto, kushtuar kryesisht takimit me mbretin, në Pallatin Al Yamamah, në të cilin morën  pjesë, ndërmjet tjerësh, edhe princi trashëgimtar Muhamed bin Salman dhe shehu Muhamed Abdyl Karim Al-Issa, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes myslimane botërore.

I dëmshëm, përdorimi i fesë për qëllime politike

Pasi i përcolli sovranit “urimet më të mira nga ana e Papës", kardinali Tauran e falënderoi për mikpritjen bujare si dhe për ndërrmarrjen e nismave të rëndësishme, që shënojnë hapje domethënëse edhe ndaj feve të tjera, posaçërisht kristianizmit. Në fjalimin e tij, kryetari i dikasterit vatikanas, kujtoi nismat e mëparshme të rëndësishme saudite, që kanë të bëjnë me dialogun ndërfetar, duke nënvizuar sa i dëmshëm është përdorimi i fesë për qëllime politike. Prej këndej, ftesa për të vijuar dialogun e sinqertë, me qëllim që të gjinden rrugëzgjidhje  të përshtatshme për sfidat e botës së sotme.

Mendimi i kardinalit Tauran për punonjësit e krishterë të Mbretërisë

Hirësia e Tij, që në Riad shoqërohet nga ipeshkvi sekretar i dikasterit, imzot Ayuso Guixot dhe nga kryetari i zyrës për Islamin, imzot Akasheh, kujtoi edhe qindra-mijëra punëtorët e krishterë, që ndodhen në mbretërinë saudite, duke vënë në dukje se  bëhet fjalë për një çështje,  që Papa Françesku e ndjek me vëmendje të madhe. Së fundi, foli edhe për nevojën e edukimit të shëndoshë lidhur me drejtësinë e paqen. Është thesar i brishtë, që duhet mbrojtur - kujtoi - sepse paqja nuk mund të ndahet nga drejtësia: nuk ka paqe, pa drejtësi; as drejtësi, pa paqe. “Edukimi i breznive të reja me frymën e paqes është themelor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.