Ipeshkvi i Molfetës e kaloi gjithë jetën duke dëshmuar dashurinë për Krishtin. Sot, gjatë vizitës baritore të Papës Françesku në Alessano e Molfetta, po rijetojmë disa nga mësimet e tij, duke ndjekur videot e epokës. E po kujtojmë çka shkroi për një nga pasuritë më të çmuara të njeriut të të gjitha kohëve: paqen!
Paqja, si udhë për t’u ndjekur
Me thanë të vërtetën, nuk jemi mësuar shumë ta lidhim termin PAQE me koncepte që kanë të bëjnë me lëvizjen!
Rrallë e kurrë dëgjojmë të thuhet:
“Ky njeri përpiqet për paqen”
“Lufton për paqen”
“Ia shkëput me thonj e me dhëmbë jetës një çast paqeje”.
Shumë më shpesh dëgjojmë shprehjet:
“Është ulur e po rri në paqe”.
“Po lexon në paqe”,
“Po ha e po pi në paqe”
“Po mediton në paqe”
E, doemos, edhe “pushoftë në paqe!”.
Paqja, siç po e shikoni vetë, na kujton më shumë rrobat që veshim nëpër shtëpi, sesa çantën e shtegtarit!
Më shumë rehatinë e dhomës së gjumit, se rreziqet e rrugës;
Më shumë oxhakun, se vorbullën gumëzhitëse të problemeve;
Më shumë heshtjen e shkretëtirës, se trafikun e metropoleve;
Më shumë gjysëmhijen e një kishe, se poteren e takimeve sindikale;
Më shumë misterin e natës, se zhurmat e mesditës;
Me sa duket, duhet një revolucion i mendësisë, për të kuptuar se paqja nuk falet, fitohet!
Nuk blihet, prodhohet me shumë djersë;
Nuk është pikënisje, por pikarritje;
Nuk e pranon tundimin e kënaqësisë;
Nuk e lejon qëndrimin këmbëturqisht;
Nuk i zhduk ndeshjet...
Paqja nuk ka asgjë të përbashkët me “jetën paqësore”.
Është udhë që duhet bërë;
madje tejet e thepisur,
ka tabelat e ritmet e saj, ndalesat e shpejtimet
e ndoshta, edhe pritjet durimtare.
E do të jetë i lum, sepse veprimtar i paqes
jo kush pretendon të kapet tek pikarritja, pa u pasë nisur kurrë, por kush niset
duke pasur në sy mirazhin e një ndalese gazmore të vagëlluar – edhe pse kurrë – mbi këtë tokë, kuptohet, nuk do ta arrijë plotësisht!
All the contents on this site are copyrighted ©. |