2018-04-19 13:33:00

Trembëdhjetë vjet më parë zgjidhej Benedikti XVI


Pas vdekjes së Gjon Palit II, më 19 prill 2005, në votimin e katërt të Konklavit të kardinajve, u zgjodh Papa i ri. Në fronin e Shën Pjetrit u ul një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Wojtylës: Joseph Ratzinger, që zgjodhi emrin Benedikti XVI.

Pasditen e 19 prillit 2005, Sheshi i Shën Pjetrit ishte përplot besimtarë, gjë që ndodhte prej ditësh. Që nga vdekja e Gjon Palit II, Shenjtit të ardhshëm, i cili i priu Kishës për 26 vjet, 5 muaj e 17 ditë.

I zgjedhur në votimin e katërt

Në orën 17.56 nga oxhaku i Kapelës Sikstine nisën të lartohen drejt qiellit shtëllunga tymi të bardhë. Kardinajtë e mbledhur prej dy ditësh në Konklav, e kishin zgjedhur të 265-tin pasardhës të Shën Pjetrit. Ky çast kaq prekës u shoqërua, si zakonisht, me kumbimin e të gjitha këmbanave të Bazilikës së Vatikanit. Kisha ishte në festë! E kishte zgjedhur përsëri atë, që do ta drejtonte  Barkën e Pjetrit.

Ratzinger-Benedikti XVI

Kardinali Joseph Ratzinger, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Papa i ri, zgjodhi emrin Benedikti XVI. Në audiencën e përgjithshme të 27 prillit 2005, shpjegoi pse e zgjodhi këtë emër, duke kujtuar guximin e Benediktit XV në kohët e luftës dhe angazhimin e tij për paqen, pa harruar edhe figurën madhore të  Shën Benediktit të Norcias, bashkëpajtor i Evropës, “Patriark i madh i monakizmit perëndimor”.

Punëtor i përvajtur, në vreshtin e  Zotit

Në fjalimin e tij të parë si Papë, Benedikti XVI e quajti veten “punëtor i thjeshtë e i përvuajtur në vreshtin e Zotit”, kujtoi  se mbështetet në Zotin, që di të punojë edhe me mjete të ligështa dhe u kërkoi besimtarëve të luten për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.